Pa palestër, por me shumë vullnet: KB Vitia, klubi modest i basketbollit që e mposhti edhe gjigantin e Kosovës
Është ora nëntë e mëngjesit, ngadalë parku i qytetit të Vitisë mbushet me djelmosha të rinj. Nehat Rexhepi, trajneri energjik i klubit të basketbollit “Vitia”, që në përbërje ka mbi 90 të rinj entuziastë të basketbollit, po i priste djemtë që garojnë në grupmoshën U-16.
Të gjithë më përshëndesin dorë më dorë, disa më njohin nga videot në Tik Tok, disa të tjerë si gazetar. Me këta djelmosha, që duket se duan me zemër basketbollin, bashkëbisedoj gjatë rrugës për në lojën kundër “KB Llapit” nga Podujeva.
Jeta sportive në Viti, një qytet i vogël i Anamoravës, zhvillohet me shumë peripeci dhe pa ndihmën sado të vogël të autoriteteve komunale, zor se do të ekzistonte. Nehati, një burrë në të dyzetat, është absolutisht më meritori që ky sport, dikur aspak popullor në Viti, sot ka zënë rrënjë e po zhvillohet.

Gjatë ecjes për në autobus, Nehati më tregon sfidat me të cilat përballet klubi i tij, që zor mbijeton. Duke qenë se qyteti ende nuk ka një palestër që plotëson kushtet e nevojshme për gara, “KB Vitia” detyrohet që të gjitha lojërat t’i luajë jashtë Vitisë.
“Kemi ushtru në asfalt, kemi lujtë në palestër. Edhe tash, tre muaj kemi ushtru në asfalt, tash kampionatin e bëjmë në parket. Sidoqoftë, punën e kemi bërë mirë, kemi ushtru çdo ditë. Besoj që kemi me pasë shumë sukses…Palestra në Viti nuk i plotëson kushtet për lojë kampionale. Ne detyrohemi të kalojmë në qytete të tjera, gjë e cila nuk është punë e lehtë, pasi ndikon edhe në performancë të lojëtarëve.” – më tregon Nehati.
Në bashkëbisedim e sipër, interesohem nëse ka përkrahje financiare nga Komuna e Vitisë, që udhëhiqet nga Sokol Haliti i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Përkrahja nuk mungon prej komunës, prej kryetarit të komunës dhe prej drejtorit të Drejtorisë së Sportit. Përkrahja është e mirë, por jo e mjaftueshme, pasi kampionati kushton shumë” – më sqaron Nehati.
Përkundër vështirësive, Nehati vlerëson se megjithatë djemtë e rinj të Vitisë kanë mundësinë të realizojnë ëndërrën për t’u bërë basketbollist.
“Gjëja më e bukur është që fëmijve u jepet mundësia me realizu ëndrrën. Është ndjenjë e mirë për trajnerin kur fëmijët thonë që s’mujmë me fjet prej dëshirës që nesër do të kemi lojë kampionale. Kam dashur që Vitia të ketë një klub të basketbollit, që e përfaqëson qytetin dhe me prodhu lojëtarë të mirë në të ardhmën” – deklaron Nehati.
Natyrisht, pas punës me shume vullnet e pasion, nuk mungojnë as sukseset.
“Vitin e kaluar ishim në cerekfinale, kemi pasur dy lojë super të mira. Në kategorinë U-12, fituam në lojën e parë kundër Marigona Hill në Prishtinë, ishte një super lojë. Loja e dytë ishim në cerekfinale të kupës kundër Trepçës në Mitrovicë, e mposhtëm Trepçën dhe kaluam në gjysmëfinale. Këto janë dy fitore më të mira që kemi pasur. Tash presim në këtë kampionat, sidomos me kategorinë U-16, me qenë në katër ekipet më të mira, sepse kemi një skuadër të mirë” – shton ai.

Nehati më shpjegon në detaje projektin, duke theksuar se nëpërmjet “KB Vitisë” synon të krijojë së pari njerëz të mirë, e pastaj basketbollistë të shkëlqyer.
“Synoj që një fëmijë që vjen në palestër të basketbollit, mbi të gjitha ta bëjë një njëri të mirë, pastaj ta krijoj një basketbollist të mirë.” – rrëfen Nehati.
Para lojës në sallën e sportit në Kaçanik, ku KB Vitia luan si “vendas”, Nehati u jep instruksionet e fundit djelmoshave, që janë nga mosha 12 deri në moshën 16-vjeçare.
“Luani shpejt dhe saktë” – është këshilla që ua përsërit disa herë Nehati, të cilin djemloshat e dëgjojnë me shumë vëmendje.
Që nga fillimi, basketbollistët vitias janë të etur për fitore, ndërsa loja e tyre është e bukur, më e organizuar se e kundërshtarëve. Andaj, nuk mungojnë as duartrokitjet e shikuesve, që përbëhet nga prindërit e tyre dhe shokët e shoqet e skuadrës së KB Vitisë.
Prindërit e lojëtarëve e përcjellin lojën me shumë kujdes. Me disa prej tyre ndërrojmë disa llafe, ndërsa në mesin e lojëtarëve është edhe fëmija i një shokut tim, me të cilin dikur luanim futboll. Me shpoti i them se “si është e mundur që djali nuk të luan futboll”, ndërsa ai ma kthen rrufeshëm “se që nga fëmijëria e ka dashur basketbollin”.

I gjithë organizimi i KB Vitisë është modest. Madje, fanelat janë investim i një kompanie private vitiase me emrin “Bujqësia”, që udhëhiqet nga një ish-basketbollist i KB Vitisë.
Gjatë tërë kohës, përveç në dy raste, basketbollistët e Vitisë janë në epërsi…dhe, në fund, me shumë meritë, fitojnë kundër KB Llapit. Natyrisht, edhe unë i gëzohem fitores së rioshëve vitias. Pas ndeshjes, në bisedë e sipër, i provoj disa gjuajtje “treshe”, që fatkeqësisht nuk gjejnë cakun.
Megjithatë, si “reliktë” e këtij udhëtimi më mbetet një fanelë e KB Vitisë, dhuratë nga Nehati. Mbi të gjitha, e mësoj edhe një herë një të vërtetë të madhe: në jetë triumfojnë njerëzit që kanë vullnet.
