Ngazëlleu publikun kosovar një muaj më parë, dje siguroi ftesën e Mancinit
Simone Pafundi është vetëm 16-vjeç. Ai dje mori ftesë nga Roberto Mancini për ndeshjet miqësore të nëntorit. Vetëm një muaj më parë kishte lënë mbresa mu në Kosovë, në ndeshjet kualifikuese të U17 për Euro 2023.
Në “Fadil Vokrri” më 5 tetor të muajit të kaluar ishte i pranishëm edhe Zvonimir Boban. Ai vinte në Prishtinë jo vetëm për takime zyrtare me zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës, por edhe për të parë nga afër ndeshjen inauguruese të kualifikimeve të Euro 2023 në grupmoshën U17, me ç’rast Kosova ishte organizatore e ndeshjeve që luheshin në grupin e saj.
Kësisoj, gjatë asaj dite, në “Fadil Vokrri”, Kosova e drejtuar nga Arsim Abazi luajti ndaj Italisë, ku u mposht 5-2. Mirëpo, jo vetëm para syve të legjendës kroate të futbollit, Boban, por te të gjithë ata që ishin të pranishëm në shkallët e stadiumit ra në sy një lojtar: Simone Pafundi.
Mesfushor me tipare sulmuese i ekipit junior të Udineses, që llogaritet prej më premtuesve në të gjithë futbollin italian.
Ai bëri për vete ndjekësit e futbollit në Prishtinë, aq veta sa ishin në tribuna, sado në numër modestë – për shkak të mënyrës elegante të luajturit të tij. Dy gola të shënuar, shumë driblime, goditje dhe pasime në thellësi me saktësi empirike – ishte kopertina përmbledhëse që i dha ndriçim stadiumit në kryeqytetin tonë nga mesfushori italian.

Pa asnjë përjashtim, gjatë dhe pas ndeshjes Kosovë – Itali, shumë veta gjurmuan në mjetet e informimit dhe në internet se kush ishte ky lojtar që po bënte aq shumë dallimin në raport me lojtarët tjerë që ishin në fushë.
Vajtën për ta shikuar ndeshjen dhe për t'i dhënë përkrahje Kosovës, por nuk arritën të tregohen indiferentë ndaj talentit që panë para vetes.
“Isha në stadium për kurreshtje për ta parë ndeshjen Kosovë – Itali. Mirëpo, ta them të drejtën më shumë më bëri përshtypje një djalë që luante për Italinë. Pafundi emrin...”, ishte njëri nga disa mesazhet që vinin ato ditë.

Eh po, të gjithë ata që morën mundin të shkojnë në “Fadil Vokrri” atë ditë mund të ndihen fatlumë tani e tutje, pasi do të mund t’u shërbejë si një kujtim i bukur të kenë parë nga afër një lojtar me aq talent që shumë shpejt u kalit drejt një stadi maksimal siç është grumbullimi me kombëtaren e parë të Italisë.
Pafundi dje jetësoi realizimin e një ëndrre, duke parë veten në mesin e të ftuarve nga përzgjedhësi i Italisë, Roberto Mancini, për miqësoret që do t’i luajë ndaj Shqipërisë më 16 nëntor, respektivisht Austrisë më 20 nëntor.
“10"-sh me vizion dhe teknikë
Njihet si lojtar gjakftohtë, teknik dhe i aftë që të manovrojë në hapësira të ngushta me topin në pronësi. Shtatshkurtër, por i shkathtë në mes të dy linjave, si një “10”-sh i përsosur që admiron të ketë topin pranë këmbëve të tij.
Ndonëse i takon një gjenerate shumë të re, asaj të vitit 2006, ai gëzon një pjekuri solide edhe si njeri. Ka bërë shumë përshtypje në mediet italiane menaxhimi i profileve të tij në rrjetet sociale, ku vëmendjen e tërësishme ia dedikon futbollit dhe jo shpërqendrimit në gjëra të tjera siç është zakonisht një karakteristikë e futbollistëve që janë në fazë të pubertetit. Pra, aspak i llastuar edhe në sjellje.
Idoli i tij është Messi. Inspirohet nga ylli argjentinas. Ndërsa ftesën për të luajtur me grupmoshën U17 të Italisë e ka marrë që në moshë fare të re, 14-vjeçe.

Në ndeshjet e fundit kualifikuese me Italinë bëri një ecuri fantastike, duke shënuar dy gola ndaj Kosovës dhe ndaj Finlandës dhe Greqisë shënoi po ashtu gol dhe asist për secilën ndeshje.
Ai ka mundësinë që të shndërrohet në lojtarin më të ri që debuton për kombëtaren e parë të Italisë nëse do të inkuadrohet në fushë në miqësoret ndaj Shqipërisë dhe Austrisë, që do të zhvillohen gjatë këtij muaji.
Njëherësh, Pafund shijoi edhe një tjetër arritje, duke u bërë futbollisti i parë i gjeneratës 2006 që debutoi në Serie A në ndeshjen e fundit të sezonit paraprak ndaj Salernitanas, kur luajti për 22 minuta.

Më 22 maj ai nënshkroi edhe kontratën e parë si lojtar profesionist me skuadrën friuliane. Pikërisht në ditën kur mbushi moshën 16-vjeçe.
Në Primavera, që është kampionati i juniorëve në Itali, ka shënuar dy gola dhe tre asiste në shtatë paraqitje të zhvilluara.

