Mancini: Vështirë të shikohet Kupa e Botës pa Italinë
Trajneri i kombëtares së Italisë, Roberto Mancini, nuk dukej shumë i emocionuar për Botërorin e ardhshëm në Katar, duke nënvizuar vështirësinë për të parë turneun nga shtëpia pa prezencën e kombëtares që udhëheq ai.
Të kaltrit nuk arritën të kualifikoheshin në Kupën e Botës pas humbjes së tyre katastrofike në play-off nga Maqedonia e Veriut në fillim të këtij viti, duke i detyruar ata të shikojnë turneun nga larg për herë të dytë radhazi. Pavarësisht dështimit, Mancini nuk u largua nga posti i tij si trajner i italianëve dhe tani po mbikëqyr procesin e ndërrimit të gjeneratës në skuadër.
Duke folur në Festivalin e Overtime në Macerata dje, Mancini diskutoi dështimin e Italisë për t'u kualifikuar në Kupën e Botës dhe se si do të ndihet ta shikojë atë nga shtëpia.

“Muaji i ardhshëm nuk do të jetë i lehtë për italianët, të shikosh Kupën e Botës pa Italinë do të jetë shumë e vështirë. Është veçanërisht e tillë për mua dhe stafin teknik, ndoshta më pak për lojtarët që kanë rifilluar të luajnë dhe e kanë kaluar pjesërisht këtë zhgënjim.
Do të ndihem më mirë vetëm kur të përfundojë Kupa e Botës, por e pranoj se do të jetë shumë e vështirë ta shikosh atë në televizion”.
Mancini: "Il prossimo mese per gli italiani non sarà semplice. Dura vedere i Mondiali in tv" https://t.co/xdoUbQTrIP
— TUTTOmercatoWEB (@TuttoMercatoWeb) October 6, 2022
Italia ka nisur rrugën e saj të re dhe ka bërë një hap pozitiv përpara në ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve, duke mposhtur Anglinë dhe Hungarinë për të siguruar vendin e tyre në katërshen më të mirë të Ligës A. Dy ndeshjet e ardhshme të kampionëve të katërfishtë botëror janë miqësoret kundër Shqipërisë më 16 nëntor dhe Austrisë më 20 nëntor, pak ditë para se të fillojë Kupa e Botës.
Kujtojmë se Italia është kombëtarja më e suksesshme nga Evropa në Kupën e Botës, duke triumfuar në katër raste (1934, 1938, 1982, 2006), vetëm një më pak se Brazili. Të kaltrit kanë marrë pjesë në 18 Kampionate Botërore nga 22 të organizuara, duke arritur gjashtë finale, një herë vendin tretë dhe një herë vendin e katërt.
Ndërsa në Kampionat Evropian është kampion në fuqi, pasi triumfoi në Euro 2020 të zhvilluar në vitin 2021, duke arritur në dy trofe të tillë, një më pak se Spanja e Gjermania.
