Nga dështaku në pirat: Si e shpëtoi karrierën Vedat Muriqi në vitin 2022
Është 31 janar 2022, dita e fundit e afatit kalimtar dimëror. Shansi i fundit për Vedat Muriqin ta shpëtojë karrierën.
Deri në at çast, aq keq po i shkonte atij në Lazio saqë ai po mendonte se nuk ishte i denjë si futbollist dhe ishte dorëzuar, gati për të hequr dorë. Por, pastaj, Mallorca i trokiti në derë dhe i ofroi një mundësi ringjalljeje.
Dhe Muriqi e përqafoi atë pa një pa dy. Një marrëveshje huazimi gjashtëmujor fillimisht që në verë u përmirësuar në kontratë të përhershme pesëvjeçare.
Nga dështak, në pirat, ja si ndodhi e gjitha
Atij iu deshën më pak se një orë lojë për të shënuar në debutimin e tij në La Liga për Mallorcan. Ai sapo kishte mbërritur në ishull nga Lazio, ku nga italianët cilësohej si një i dështuar, pas një viti e gjysmë qëndrimi zhgënjyes në kryeqytetin italian.
Jo vetëm që ai nisi ta ringjallë veten, por me të edhe shpresat e klubin nga Palma për mbijetesë, i cili para ardhjes së tij rrezikonte shumë rënien në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll vetëm tri vite pasi ishte rikthyer në La Liga.
Forma nëpër të cilën ka kaluar përfaqësuesi i Kosovës në La Liga që prej ditës së parë lë të kuptohet se ai kishte tjera telashe në Lazio, konkretisht nuk iu dhanë mundësitë e duhura për ta treguar fytyrën e vërtetë prej sulmuesi.
Çfarë nuk shkoi për Muriqin në Lazio fillimisht?
Lazio e bleu sulmuesin kosovar në shtator 2020 nga Fenerbahce për 20 milionë euro dhe entuziazmi në klubin e kryeqytetit italian ishte i madh, pasi ai po vinte si një golashënues i dëshmuar për gjigantin turk dhe ekipin kombëtar
Megjithatë, jo gjithçka nisi mirë për 27-vjeçarin, i cili u sëmurë me Covid-19 dhe nuk qe në gjendje t’i bashkohet Lazios me kohë, duke munguar në përgatitje me skuadrën. Sikur mos t’i mjaftonte infektimi me virus, Muriqi po vuante nga një lëndim muskulor që e kishte pësuar kah fundi i sezonit paraprak me Fenerin, i cili ia zgjati edhe më shumë debutimin, deri më 17 tetor, një ndeshje që lazianët e humbën 3:0 nga Sampdoria.

Rrethanat e mbërritjes së tij në klub luajtën rol në lojën e tij nën urdhrat e trajnerit të atëhershëm Simeone Inzaghi. Ai nuk kishte kohë për t’u mësuar me taktikat e tij apo për t’u përshtatur me bashkëlojtarët. Inzaghi e përdorte kosovarin vetëm si rezervist të Ciro Immobiles dhe Joachim Correas dhe i jepe mundësi të rralla për të luajtur titullar aty-këtu.
Nën urdhrat e trajnerit të ri në sezonin 2021/22 mundësitë e Muriqit ishin edhe më të vogla, pasi trajneri italian ia dha atij vetëm një rast të luajë titullar, dhe atë në mungesë të sulmuesve të tjerë kryesorë, dhe kosovari u largua në afatin kalimtar të dimrit.
Ringjallja e tij në ishull dhe bashkë me të shpresat e Mallorcas për mbijetesë
Para se t’i bashkohej Mallorcas, Muriqi kishte menduar se nuk ishte mjaftueshem i mirë për të qenë futbollist për shkak të dëshprimit që e përjetoi në Itali, por falë ndihmës nga nëna dhe bashkëshortja ai duroi deri në ardhjen e mundësisë jetësore.
“Mendoja se i kisha mbyllur llogaritë me futbollin. Mamaja dhe bashkëshortja më ndihmuan shumë. Në janar vendosa të shkoja te Mallorca dhe kjo më ndryshoi jetën”, tha Muriqi kohë më parë.
Por 28-vjeçari e harroi sa hap e mbyll sytë tmerrin në Lazio dhe nuk humbi kohë për të lënë mbresa në La Liga, duke e frymëzuar Mallorcan drejt një fitoreje prej 2:1 ndaj Cadizit, rivalit të drejtpërdrejt për mbijetesë, më 5 shkurt.

Nuk ishte vetëm goli që ia siguroi tri pikë Mallorcas që la mbresa në debutimin e Muriqit, por loja e tij në përgjithësi dhe mënyra se si fitonte topa në ajër në veçanti.
Muriqi ishte çdo kund, në çdo cep të fushës në atë ndeshje. Ai i kishte fituar 13 prej 14 dueleve në atë ndeshje, duke fituar aq shumë topa për skuadrën e tij, që ishte një tregues. Loja e tij në ajër dhe me shpinë mbrapa portës ka qenë e shkëlqyer dhe i është përshtatur atij në futbollin spanjoll.
Mbase goli më i rëndësishëm i tij gjatë huazimin te Mallorca erdhi në fitoren 1:0 kundër kampionit në fuqi Atletico Madridit. Të shënosh për një skuadër që po luftonte për mbijetesë kundër kampionit në fuqi, i cili para asaj ndeshje kishte gjashtë fitore radhazi, nevojiten nerva të çelikta.
Para ardhjes së Muriqit, Mallorca ishte vetëm dy pikë larg zonës së rënies nga La Liga, por pas 12 paraqitjeve të tij dhe pesë ndeshje para fundit të të sezonit 2021/2022, skuadra e Javier Aguirres ndodhej në pozitë shumë më të mirë për të mbijetuar.
“Pirati është këtu dhe do të luftojë deri në fund”, ishte premtimi i Muriqit në rrjetin social Instagram pas një fitoreje kundër Alavesit në të cilën kishte shënuar në mars.
Muriqi është përfshirë në pesë gola për Mallorcan, më shumë se çdo futbollist tjetër i kësaj skuadre në vitin 2022.

Pirati, siç i pëlqen Mallorcas ta quajë Muriqin dhe vetë kosovarit të thirret, i shënoi 5 gola dhe 3 asiste në 16 ndeshje gjatë huazimit gjashtëmujor në ishull, duke qenë lojtari më vendimtar në luftën e Mallorcas për mbijetesë.
Gjatë vitit 2022, Muriqi ishte i mrekullueshëm me Kombëtaren e Kosovës si përherë, duke i shënuar 5 gola dhe 2 asiste në gjashtë ndeshje zyrtare.

Kur fati të buzëqeshë dy herë
Pasi i mbaroi huazimi i shkurtër, Muriqi duhej të kthehej në verë te klubi nënë Lazio, i cili ishte i vendosur ta shiste dhe arriti shpejt marrëveshje me Club Brugge, duke e lënë Mallorcan të pashpresë për ta mbajtur piratin për shkak të çmimit të tij.
Klubi belg pranoi ta blinte Muriqin për 9 milionë euro. Gjithçka ishte e vendosur dhe kosovari iu nënshtrua testeve mjekësore dhe ishte i gatshëm të nënshkruante, kur papritmas Brugge ndryshoi mendje dhe e prishi marrëveshjen, duke pretenduar se lojtari nuk i kishte kaluar testet.
Kjo i hapi rrugë Mallorcas për t’u futur sërish në garë për kosovarin dhe këtë herë, ajo u sigurua të mos e lëshojë t’i ikë nga dora.
Muriqi nënshkroi kontratë deri në vitin 2027 më Mallorcan në korrik.
Ai pastaj e nisi sezonin e ri 2022/2023 në La Liga aty ku e kishte lënë të vjetrin; duke shënuar gola.
Asnjë lojtar në La Liga, madje as lojtari më i mirë në botë për vitin 2022 Karim Benzema i Real Madridit, nuk është duke pasur ndikimin më të madh në ekipin e vet në La Liga këtë sezon se Vedat Muriqi i Mallorcas.
Ai i ka shënuar tetë gola në 11 ndeshje në La Liga, përfshirë në pesë ndeshjet e fundit dhe është golashënuesi i dytë më i mirë në ligë, pas Robert Lewandowskit të Barcelonës.
Kjo nënkupton se 28-vjeçari është përfshirë në mbi 67 për qind të golave të skuadrës së vet, gola dhe asiste, që është ndikim më i madh se i çdo futbollisti tjetër brenda ekipit të vet deri tani këtë sezon në La Liga.
Ish-futbollisti i Barcelonës, Andrea Orlandi, tha se statistikat që përfaqësuesi i Kosovës i ka arritur me Mallorcan për 11 ndeshje mund të cilësohen si shumë të mira për një sezon të tërë, e lërë më për kaq pak ndeshje.
“Është fantastike. Statistika shumë të mira”, tha Orlandi për La Liga TV në nëntor
“Këto statistika nuk do të ishin të këqija për një sezon të plotë, tetë gola për një sezon të tërë për Mallorcan”, shtoi ai.
Muriqi është madje lojtari i parapëlqyer i Luis Enriques në lojën “Football Fantasy” këtë sezon.



