Neymar: Nuk e di çfarë planesh ka PSG ndaj meje, por unë dua të qëndroj
E ardhja e brazilianit Neymar duket gjithmonë më e paqartë. Askush nuk ofron garanci se ai do të vijojë të jetë pjesë e PSG.
Si kurrë më parë Neymar po shfaq dëshirë që të qëndrojë në radhët e kampionit në fuqi të Ligue 1, PSG. Sidoqoftë, këta të fundit nuk po duken aq shumë të ngazëllyer për ta qetësuar atë se dëshirojnë ta mbajnë akoma si pjesë të tyre.
Një mori deklarimesh gjatë orëve të fundit kanë ngritur pluhur të madh mbi të ardhmen e Neymar.
Për vetë lojtarin nuk ka shumë dilema, sepse ai nuk e ka ndërmend personalisht që ta mendojë një largim nga PSG.
Dëshira e Neymarit
Sulmuesi 30-vjeç së fundi është prononcuar në lidhje me zërat që janë ngritur për të ardhmen tij.
"Gjithmonë dua që të qëndroj në këtë klub (PSG). Deri më tani PSG nuk më ka thënë asgjë. Nuk e di cilat janë planet e klubit për mua", deklaroi lojtari nga Tokyo ku po qëndron skuadra.
Me këtë deklaratë ai ia drejtoi klubit një mesazh të qartë se, për sa i takon atij, asnjë largim nga ambienti parisien nuk është i dëshiruar.
Trajneri i PSG nuk siguron për qëndrimin e Neymar
Rreth të ardhmes të sulmuesi të Kombëtares së Brazilit është deklaruar edhe trajneri i skuadrës, Christophe Galtier.
"Neymar është duke punuar mirë që prej fillimit të sezonit. Mua më duket i lumtur. Është mjaft në formë. Ajo që do të ngjajë në të ardhmen e afërt, më saktësisht në përfundim të afatit kalimtar veror - nuk e di. Nganjëherë përflitet largimi i tij. Pastaj, thuhet se mund të qëndrojë. Nuk kam pasur me të një bisedë private në lidhje me këtë çështje, por nuk më duket i shpërqendruar nga gjithë kjo storie", deklaroi ai.
Trajneri francez mori drejtimin e klubit së voni, duke e zëvendësuar Pochettinon, i cili nuk arriti që t'i përmbushte kërkesat e drejtuesve të klubit, për të siguruar një lojë bindëse, si dhe për të triumfuar në Ligën e Kampionëve.
Casemiro e fton Neymarin te Real Madridi
Për të ardhmen e Neymarit nuk kanë munguar deklaratat as jashtë kampit parisien. Bashkëvendësi i tij, njëherit edhe bashkëlojtari te Kombëtarja e Brazilit, Casemiro, ka dalë hapur në medie, duke e ftuar atë që t'i bashkohet klubit madrilen.
"Neymar do të mund të luante në çfarëdo skuadre të botës. Nëse PSG nuk e do, e merr Real Madridi. Në rregull?", komentoi ai me një përzierje mes tonit sarkastik dhe atij realist.
Neymar para dy sezonesh kërkonte që t'i ribashkohej Barcelonës, por ajo aspiratë e tij nuk iu plotësua. Tani mbetet enigmë se çfarë do të sjellë gushti për të.



