Muharrem Jashari: Kundër Antwerpit do të avancojmë tutje, na mungon një fushë si ajo në "Fadil Vokrri" - NACIONALE

Muharrem Jashari: Kundër Antwerpit do të avancojmë tutje, na mungon një fushë si ajo në "Fadil Vokrri"

1 vit më parë

nga Shpend Thaçi

Muharrem Jashari kontribuoi me një paraqitje të mirë kundër Inter Turkut, për t'ia mundësuar Dritës vazhdimin e ëndrrës evropiane.

Mbrëmë, Drita ndriçoi impiantin e "Fadil Vokrrit", gëzoi pa masë tifogrupin e saj, "Intelektualët", si dhe të gjithë futbolldashësit në Kosovë, pasi në kryeqytet arriti ta përmbysë rezultatin e sfidës së parë të luajtur në udhëtim kundër Inter Turku (1:0).

Duke iu falënderuar një paraqitjeje thuajse në suaza të perfeksionit të të gjithë ekipit, Drita ia doli që të ngadhënjejë me rezultat 3:0, me golat e realizuar nga Simonovski 2' dhe Muja 49', 51'

Drita e denjë në arenë evropiane

Kështu, e dëshmoi edhe një herë që në arenë ndërkombëtare, gjegjësisht në rrethet kualifikuese të kompeticioneve evropiane, nuk futet në asnjë mënyrë si e dorëzuar, por synon t'i dëshmojë aftësitë e veta dhe të luajë si e barabartë.

Për më shumë, edhe fraza e famshme "me rëndësi pjesëmarrja" duket se nuk e ngushëllen aspak Dritën. Ajo nuk kënaqet me kaq, por lufton që t'ua prishë matematikat klubeve të ndryshme evropiane dhe të jetë konkuruese aq sa mundet në këto gara.



Njëri prej lojtarëve që ka treguar vazhdimësi të mirë të formës kur kanë qenë në pyetje ndeshjet ndërkombëtare, është edhe Muharrem Jashari. Mesfushori mitrovicas u transferua nga Trepça '89 gjatë verës së vitit të mëparshëm. Tani e një kohë është shndërruar në njërin prej lojtarëve më të dashur të tifozëve të Dritës.

Flet Muharrem Jashari

Gazeta Nacionale gjatë ditës ka kontaktuar atë, duke marrë një prononcim nga ai rreth ndeshjeve në këto nivele. Duke marrë parasysh rezultatin edhe paraqitjen e djeshme, ai nënvizoi se çfarë u shërbejnë lojtarëve ndeshjet e tilla.

"Është e qartë se ndeshjet e këtij niveli janë motiv shtesë për çdo lojtar për ta dëshmuar veten në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne luajmë gati një vit brenda kampionatit tonë për t'u ballafaquar në këto nivele, me ekipe evropiane", shtoi Jashari.

Jo vetëm tifozët e Dritës, por të gjithë ndjekësit e futbollit në Kosovë ishin dëshmitarë të një paraqitjeje ekzemplare të skuadrës gjilanase në ndeshjen kundër Feyenorod që u zhvillua gjatë vitit të kaluar.

Qoftë në Prishtinë apo në Rotterdam - ekipi i udhëhequr nga Ardian Nuhiu nuk u tregua për asnjë moment inferior. Me pak pragmatizëm e me më shumë fat, ishin shumë afër të kurorëzoheshin me një kualifikim historik.

Tani, Drita do të ndeshet kundër Antwerp, i cili mund të llogaritet si kundërshtari më i fortë i ekipit gjilanas nëse i lëmë anash Feyenoordin dhe Malmon. Mirëpo, pavarësisht shkallës së vështirësisë, mesfushori 24-vjeç shfaq optimizmin e tij të plotë që do t'ia dalin me sukses ta kalojnë këtë rreth kualifikues.

"Të gjithë e dinë ndeshjen me Feyenoordin si ka përfunduar. Na ka munguar vetëm edhe pak fat që ta kalonim atë rreth kualifikues.

"Mirëpo, tani po mendoj që do ta kalojmë edhe këtë rund, duke pasë parasysh ekipin që kemi, i cili është shumë cilësor dhe për më tëpër jemi të bashkuar, si dhe me një tifozëri shumë të flakët siç janë 'Intelektualët', të cilët i kemi gjithmonë në mbështetje tonë. Pra, kam shumë besim që do ta kalojmë edhe këtë rreth kualifikues", nënvizoi ai.

Infrastruktura sportive e mangët, pengesë për të gjithë

Gjilani si qytet llogaritet me të drejtë si më i apasionuari pas futbollit vendor. Përkrahja e tyre jo vetëm në stadiumin e qytetit përkatës, por edhe udhëtimi masiv në qytetet tjera, ka bërë që ata të jenë infuzioni kryesor i Superligës.

Gjithsesi, gjilanasit vazhdojnë të udhëtojnë për 47 kilometra drejt kryeqytetit për t'u qëndruar afër ekipeve lokale të tyre. Në vitet e fundit janë ndërruar disa herë ekzektuvi qëndror dhe ai lokal, por stagnimi i punimeve në stadium ka mbetur aty, pa shënuar progres efektiv.

Pasojë të cilën nuk po e vuajnë vetëm tifozët, por edhe vetë lojtarët. Për shumë lojtarë teknikë fusha e rënduar në stadiumin e qytetit të Gjilanit gjatë viteve të fundit ua ka pamundësuar që ta dëshmojnë më të mirën nga kualiteti që posedojnë.

"Natyrisht që na mungon një fushë sikur ajo në 'Fadil Vokrri', sepse në fushë të tillë e tregojmë veten më së miri. Kemi mungesë të madhe të fushave në Kosovë, sepse nuk janë ato që na përshtaten për t'i treguar cilësitë secili prej ne lojtarëve.

"Pothuajse shumica e tyre janë artificiale. Ka dallim shumë një fushë artificiale me atë në Prishtinë, në 'Fadil Vokrri'", përfundoi Muharrem Jashari.

Drita rrugëtimin e saj në Conference League do ta vazhdojë të enjtën, më 21 korrikut, kur do të udhëtojë për t'u ndeshur ndaj Antwerp. Ndërkaq, sfidën e kthimit të besuarit e trajnerit Ardian Nuhiu do ta luajnë pas një jave, më 28 korrik.

Lajme të ngjashme