Moslicencimi i FFK-së: Veç 1 klub i Superligës i përgjigjet thirrjes së Batatinës për takim - NACIONALE

Moslicencimi i FFK-së: Veç 1 klub i Superligës i përgjigjet thirrjes së Batatinës për takim

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Vetëm një klub i ligës elitare të Kosovës, Superligës, i është përgjigjur thirrjes së Tahir Batatinës për një takim të jashtëzakonshëm për të folur për dështimin e Federatës së Futbollit të Kosovës për t’u licencuar.

Llapi, aleat i njohur tashmë i FFK-së, e thirri takimin mbrëmë për sot pasdite, por vetëm Ferizaj, një tjetër klub i afërt me federatën, i është përgjigjur ftesës, mëson Gazeta Nacionale.

Klubet më të mëdha të futbollit në vend, si Prishtina, Drita dhe Trepça ’89, e kanë hedhur poshtë kërkesën e Batatinës për takim.

Në takim morën pjesën 14 klube, shumica dërrmuese të Ligës së Parë.

Në takimin e sotëm, ku Nacionale e siguroi një fotografi, shihet Batatina përkrah pronarit të Trepçës, Avni Haxhiu, si dhe pronarit të 2 Korrikut Shaban Baholli.

Nacionale mëson se klubet e kanë refuzuar kërkesën e Batatinës për t’u takuar për një çështje e cila është përgjegjësi kryekëput e Federatës së Futbollit.

Klubet, po ashtu, nuk kanë dashur të takohen jashtë federatës për një çështje të lidhur drejtpërdrejt me të, aq më tepër në ditën kur Kombëtarja e Kosovës përballet me Andorrën në një ndeshje të rëndësishme kualifikuese për Kampionatin Evropian 2024.

Në dhjetor, Batatina e kishte hedhur poshtë një kërkesë të klubeve për t’u takuar për çështjen e dështimit të FFK-së për t’u licencuar, duke thënë se kohërat kishin ndryshuar dhe takime të tilla nuk duhej të bëheshin jashtë zyrës qendrore të federatës.

“Neve duhet me na ftu federata, sepse ka kaluar ajo koha kur jemi mbledhur në kafe për me diskutu. Kjo është temë e rëndësishme, dhe nëse ka ndonjë zhvillim në këtë drejtim, klubet duhet t’i thërrasë FFK-ja, sepse ai është institucioni, jo ne”, kishte thënë Batatina.

Çfarë po ndodh me licencimin dhe pse është kaq i rëndësishëm?

FFK-ja, lideri i së cilës Agim Ademi ndodhet në arrest shtëpiak, ka dështuar të licencohet deri më sot kryesisht për shkak të dështimit për t’i plotësuar kërkesat dhe për t’i bërë ndryshimet e nevojshme për licencim që ia ka kërkuar Ministria e Sportit.

Fakti se Ademi dyshohet për shmangie tatimore dhe keqpërdorim të parasë së federatës dhe mundësia për një aktakuzë të re ndaj tij, FFK-ja do ta ketë pothuajse të pamundur licencimin me të në krye.

Përveç FFK-së, edhe klubet e kanë pjesën e vet të plotësimit të dokumenteve dhe ofrimin e një pasqyre se si organizohet klubi dhe cilët janë udhëheqësit e tij.

Derisa FFK-ja nuk është e licencuar, asnjë klub i futbollit në vend nuk mund të përfitojë nga ligji për sponsorizim, i cili është tejet i rëndësishëm për mirëqenien financiare të tyre.

Që nga dhjetori klubet nuk kanë mundur të përfitojnë nga ky ligj, i cili i liron investitorët e klubit të përfitojnë nga zbritja prej 30% nga tatimi.

Lajme të ngjashme