Modric: Kemi vetëbesim, do të mundohemi ta bëjmë më të mirën ndaj Brazilit
Kapiteni i Kroacisë, Luka Modric, ka folur në konferencë për shtyp në prag të ndeshjes çerekfinale kundër Brazilit, e cila do të zhvillohet nesër gjatë pasditës së vonë.
Favorit i madh për të kaluar tutje shihet Brazili, por në kampin kroat nuk e kanë ndër mend që të hyjnë në ndeshjen me flamurin e bardhë.
Vetë kapiteni i tyre, Luka Modric, pohon se skuadra është e vetëdijshme për shkallën e vështirësisë që do ta ketë në të ballafaquar Brazilin, por shprehet besimplotë në forcën e ekipit.
“Brazili është favorit, por ne do ta japim maksimumin dhe të mundohemi që ta luajmë ndeshjen më të mirë të mundshme. Nëse do t’ia arrijmë, atëherë do ta kemi një rast. Kemi besim në vetvete”, tha ai.

Modric nuk mendon se arritja deri në çerekfinale duhet të shërbejë si vetëkënaqësi: “Duke arritur në mesin e tetë ekipeve kombëtare më të mira kemi bërë diçka të madhe, por duam çdoherë më shumë.”
Përveç tjerash, ai thuri edhe lëvdata për Katarin si organizatore e Botërorit: “Ndihemi rehat këtu. Organizimi dhe atmosfera janë të jashtëzakonshme dhe nuk bëjmë udhëtime të mëdha. Nuk kemi asnjë ankesë.”
I lumtur për fjalët e Vinicius JR
Bashkëlojtari i tij te Real Madridi, Vinicius JR, tha fjalë të mira për të në konferencën për shtyp që zhvilloi Brazili. Nesër do të jenë kundërshtarë në fushë, ndryshe nga raporti që kanë në nivel klubi.
Modric u shpreh i lumtur për fjalët që dëgjoi nga Vinicius JR: “Është ndjenjë e bukur që Vinicius JR ka folur mirë për mua.”

Ndërsa kapiteni kroat e vlerësoi njashtu në superlativ yllin e Brazilit, Vinicius JR, për të cilin pati konsiderata si nga ana karakteriale njerëzore, ashtu edhe nga ajo profesionale.
“Ai është një njeri i mirë dhe kemi një raport të shëndoshë mes vete. Do të jetë mjaft e vështirë të ndalet, por nëse do të mund të ndihmojë dhe t’ia bëjë më të vështirë punën duke dhënë ndonjë detaj – do ta bëj. Patjetër!”, u shpreh ai kur u pyet nga gazetarët nëse do t’ua tregojë bashkëlojtarëve të tij kroatë sekretet se si mund të neutralizohet sulmuesi brazilian.
Ndeshja mes Kroacisë dhe Brazilit luhet nesër me fillim në ora 20:00. Brazili deri tani ka bindur dukshëm më shumë, duke argëtuar fitore me shumë aksione të krijuara për gol.

Ndërkaq Kroacia ka hasur në pengesa të mëdha për të kaluar në çerekfinale. Nënkampionia në fuqi vetëm përmes ekzekutimit të penalltive arriti të triumfonte ndaj Japonisë, në një sfidë ku vuajti shumë që të dilte në stilin e saj të lojës.


