Milot Rashica: S’e kam dëgjuar tërmetin tragjik, lutem që të ketë sa më pak viktima - NACIONALE

Milot Rashica: S’e kam dëgjuar tërmetin tragjik, lutem që të ketë sa më pak viktima

3 vjet më parë

nga Ekrem Idrizi

Ylli i Kosovës Milot Rashica ka thënë për Gazetën Nacionale se nuk e kishte ndier fare tërmetin vdekjeprurës që e tronditi Turqinë të hënën herët në mëngjes dhe është lutur që numri i të prekurve nga ai të jetë sa më i vogël.

Një tërmet i fuqishëm 7.8 ballësh e goditi Turqinë jugore dhe Sirinë veriore të hënën herët në mëngjes, duke i vrarë mbi 1.000 njerëz në të dy vendet.

Rashica jeton në Stamboll – pasi tani luan për klubin e Superligës turke Galatasaray në huazim nga Norwich City – qytetin më të madh turk që nuk është prekur nga tërmeti i sotëm.

“Ngjarjen tragjike që e ka goditur Turqinë këtu ku jam unë nuk e kemi dëgjuar. Ky është një rast mjaft i rëndë. Lë të lutemi për sa më pak viktima në njerëz”, tha Rashica për Nacionale.

Sulmuesi nga Vushtrria ka filluar të rigjejë formën e vet më të mirë në futbollin turk. Ai i ka shënuar tri gola dhe i ka dhënë katër asiste në 23 paraqitje për skuadrën nga Stambolli.

Stambolli ndodhet në veriperëndim të Turqisë, rreth 1.100 kilometra larg Gaziantepit, epiqendrës së tërmetit tragjik në kufi me Sirinë.

Presidenti i Turqisë Recep Tayip Erdogan ka thënë se 912 njerëz janë vrarë në shtatë provinca të Turqisë, ndërsa 5.383 të tjerë janë lënduar.

Erdogani ka theksuar se është e pamundur të parashikohet se sa shumë do të rritet numri i të vdekurve, derisa përpjekje për kërkim dhe shpëtim po vazhdojnë.

Ministri i Brendshëm i Turqisë Suleymon Soylu tha se tërmeti i sotëm i ka prekur 10 qytete: Gaziantep, Kahramanmaras, Hatay, Osmaniye, Adiyaman, Malatya, Sanliurfa, Adana, Diyarbakir dhe Kilis.

Turqia është njëra prej zonave më aktive të tërmetit në botë, për shkak të pozitës gjeografike.

Shumica e Turqisë ndodhet në pllakën tektonike të Anadollit, e cila ndodhet mes pllakave të mëdha – euroaziatike dhe afrikane – si dhe mes një të vogle, arabike. Derisa dy pllakat e mëdha lëvizin, Turqia shtrydhet, thonë ekspertët.

Kjo nënkupton se tërmetet janë shumë të zakonshme në Turqi. Sipas Autoritetit për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë, në vitin 2022 u regjistruan hiç më pak se 22 mijë tërmete në Turqi.

Shumica e tërmeteve në këtë vend janë vdekjeprurëse. Tërmeti më i madh që e kishte goditur Turqinë deri sot ishte 7.6 ballësh në Izmit më 1999, duke i vrarë 17 mijë njerëz.

Tërmeti që goditi mëngjesin e sotëm, 7.8 ballësh, është më i madh që është regjistruar ndonjëherë në Turqi.

Lajme të ngjashme