Ish-portieri turk i përlotur kërkon ndihmë: Na ndihmoni për hir të Allahut, të gjithë po vdesin - NACIONALE

Ish-portieri turk i përlotur kërkon ndihmë: Na ndihmoni për hir të Allahut, të gjithë po vdesin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Voljan Demirel, ish-portieri i njohur turk tani trajner i Hatayspor, është përgjëruar për ndihmë në një video drejtpërdrejt në Instagram, duke thënë se njerëzit e goditur nga tërmeti vdekjeprurës nuk po ndihmohen në rrethinat e Hatay.

Një tërmet i fuqishëm 7.8 ballësh e goditi Turqinë jugore dhe Sirinë veriore të hënën herët në mëngjes, duke i vrarë të paktën 641 njerëz në të dy vendet.

Qindra njerëz besohet se kanë mbetur ende të ngujuar nën rrënojat e ndërtesave.

Raportohet se 284 njerëz janë vrarë në shtatë provinca të Turqisë, ndërsa 440 të tjerë janë lënduar.

Në Siri, numri i të vdekurve raportohet të ketë arritur në 237.

Në një video drejtpërdrejt në llogarinë e vet në Instagram, trajneri i klubit të Superligës turke nga provinca Hatay Demirel nuk mundi t’i përmbajë lotët e hidhërimit derisa kërkoi ndihmë.

Ka njerëz që kanë shumë nevojë për ndihmë. Ku jeni, ekipe (të shpëtimit)” pyeti ai.

“Ju lutem na ndihmoni! Situata është e njëjtë jo vetëm në Hatay, por edhe në provincat përreth. Të gjithë janë të shkatërruar. Të gjithë po vdesin. Për hir të Allahut, na ndihmoni”, kërkoi ndihmë Demirel.

Turqia është njëra prej zonave më aktive të tërmetit në botë, për shkak të pozitës gjeografike.

Shumica e Turqisë ndodhet në pllakën tektonike të Anadollit, e cila ndodhet mes pllakave të mëdha – euroaziatike dhe afrikane – si dhe mes një të vogle, arabike. Derisa dy pllakat e mëdha lëvizin, Turqia shtrydhet, thonë ekspertët.

Kjo nënkupton se tërmetet janë shumë të zakonshme në Turqi. Sipas Autoritetit për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë, në vitin 2022 u regjistruan hiç më pak se 22 mijë tërmete në Turqi.

Shumica e tërmeteve në këtë vend janë vdekjeprurëse. Tërmeti më i madh që e kishte goditur Turqinë deri sot ishte 7.6 ballësh në Izmit më 1999, duke i vrarë 17 mijë njerëz.

Tërmeti që goditi mëngjesin e sotëm, 7.8 ballësh, është më i madh që është regjistruar ndonjëherë në Turqi.

Lajme të ngjashme