Shkon në 47 numri i të vdekurve nga tërmeti prej 7,4 shkallësh në Kolumbi
Së paku 47 persona e humbën jetën dhe dhjetëra ndërtesa u shembën në disa qytete të hënën në pjesën perëndimore të Kolumbisë pas një tërmeti që e goditi shtetin e Amerikës së Jugut.
Tërmeti la njerëz të ngujuar nën rrënoja, persona të lënduar e njerëz që u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre deri te kryeqyteti Bogota, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Epiqendra e dridhjes ishte në San Jose Del Palmar, komunitet me rreth 4.800 banorë në rajonin Choco, rreth 400 kilometra në perëndim të Bogotës, raportoi Vëzhguesi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara. Tërmeti është ndier edhe në Ekuador e në Panama, edhe pse atje është raportuar për dëme minimale.
Zyrtarët lokalë konfirmuan së të paktën 18 njerëz e kishin humbur jetën në qytetin Pereira, dy në qytetin Manizales dhe 27 të tjerë në distriktin Valle de Cauca, ku ndodhet qyteti i tretë më i madh në vend, Cali.
Banorët dhe ekipet e shpëtimit po kërkonin nën rrënojat e ndërtesave të shembura mes shqetësimit të autoriteteve për dridhje të tjera të mundshme. Ministri i Punëve të Brendshme tha se mbi 20 komuna në mbarë vendin janë goditur nga tërmeti.
Jorge Moncayo, taksist 64-vjeçar në Cali, tha se pa shtëllunga pluhuri në mbarë qytetin nga shtëpia e tij në kodrat e këtij vendbanimi, kur ndërtesat po shembeshin.
“E tërë shtëpia ime u drodh. Unë kurrë nuk kam përjetuar një tërmet të tillë të fuqishëm” – tha i moshuari.
Shërbimi Gjeologjik i Kolumbisë tha se kjo dridhje ishte “tërmeti me fuqinë më të madhe i regjistruar në Kolumbi në dekadën e fundit” dhe ai ishte pasur nga dy dridhje të tjera me fuqi prej 2,8 dhe 4,8 shkallësh.