Milani as sot nuk ia plotësoi kushtet Club Brugget për ta blerë De Ketelaere - NACIONALE

Milani as sot nuk ia plotësoi kushtet Club Brugget për ta blerë De Ketelaere

4 vjet më parë

nga NACIONALE

De Ketelaere - Milan, është shndërruar në një telenovelë të mërzitshme për të gjithë dhe në veçanti për vetë tifozët e kampionit italian. Edhe sot nuk pati tym të bardhë.

Një herë u takuan në Belgjikë. Kësaj here në Lugano të Zvicrës. Epilogu gjithnjë i njëjtë. Milan e dëshiron lojtarin, Club Brugge nuk e ka ndërmend t'i ofrojë ndonjë zbritje.

Qëndrimi i klubit belg po bën që Milani ta marrë shtruar çështjen e negociatave për afrimijn e De Ketelaere në gjirin e vet.

Belgëve as fakti që lojtari po insiston që të transferohet te Milani nuk po u bënë përshtypje. Madje, kanë qenë vetë ata që e kanë lënë jashtë listës së skuadrës për xhiron e parë të kampionatit.

Stagnim i pafund

Sot, u përfol gjithandej nga mediet e besueshme botërore se ishte dita kyçe për të ardhmen e De Ketelaere. Një projeksion i paqëlluar, sepse edhe dita e sotme nuk prodhoi asgjë të re.

Drejtuesit e Milanit udhëtuan drejt Luganos për t'u takuar me homologët e tyre të Club Brugge. Pala belge ia ka bërë të qartë Maldinit se nuk ka kurrfarë plani që ta bëjë ndonjë zbritje në çmim. Ata kërkojnë plot 35 milionë euro. Milan është shprehur i gatshëm të ofrojë deri afro 33 milionë euro, duke përfshirë bonuset.

Edhe ky përafrim i kampionëve në fuqi të Italisë nuk i ka bindur drejtuesit e Club Brugge, që insistojnë t'u kënaqen kërkesat e tyre.

Pavarësisht gjithash, siç raporton Gianluca Di Marzio nga Sky Sport Italia, prapëseprapë ka një frymë pozitive dhe drejtuesit e Milanit janë besimplotë që gjithçka do të zhbllokohet në fund.

Pra, dita e sotme nuk pati ndonjë zhvillim të ri. U përsëritën ato që diheshin. Qëndrimet e dy klubeve mbeten të njëjta. Kampionati italian fillon pas tri javësh. Po ashtu, Milan ka tri javë që është duke u bërë gati në fazën përgatitore. Ndërkaq, De Ketelaere, si objektivi kryesor i asaj në këtë treg kalimtar, është i bllokuar në negociata që nuk u shihet fundi.

Lajme të ngjashme