Drejtori i Eintracht konfirmon interesimin e Milanit për N'Dicka - NACIONALE

Drejtori i Eintracht konfirmon interesimin e Milanit për N'Dicka

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Milan është akoma në përpjekje për t'i zhbllokuar negociatat me lojtarë të ndryshëm. Së fundi, kampionia në fuqi e Serie A ka shprehur interesim për mbrojtësin Evan N'Dicka.

Pioli, së bashku me drejtuesit e klubit, po përpiqen që ta kenë organikën sa më shumë gati, në mënyrë që ta nisin kampionatin e ri pa kokëçarje.

Njëra prej pikave të forta të Milanit gjatë sezonit të shkuar ka qenë mbrojtja, e cila ishte më se solide.

Milanezët me kaq nuk duan që të mjaftohen, pasi janë të interesuar që në gjirin e skuadrës së tyre të sjellin freski të reja.

Konfirmohet interesimi për N'Dicka

Gjatë ditës së sotshme ishte The Athletic që raportoi se Milan është duke e vëzhguar me kujdes situatën e mbrojtësit të Eintracht Frankfurt, Evan N'Dicka.

Ky i fundit gjatë ditës së sotme nuk ishte i pranishëm në seancën e fundit stërvitore që zhvilloi skuadra.

Mediumi gjerman, Kicker, ka marrë një prononcim nga drejtori i klubit, Markus Krosche, i cili e ka konfirmuar interesimin e Milanit.

"Jemi në dijeni për interesimin e Milanit, por deri më tani nuk kemi pranuar asnjë ofertë"
, komentoi ai.

N'Dicka do të shitet vetëm me një çmim të arsyeshëm

Gjithmonë sipas mediumit të besueshëm gjerman, Kicker, Milan duhet të tregohet shumë konkret në interesimin e tij për mbrojtësin 22-vjeç, pasi Eintracht nuk e ka ndërmend të privohet lehtë nga ai.

Mbrojtësi francez, i cili luan në pozitën e qendërmbrojtësit, do të largohet vetëm nëse vjen ndonjë ofertë e parezistueshme. Nuk dihet nëse Milan është në gjendje ta bëjë një gjë të tillë, nëse marrim parasysh se nuk ka një fond shumë të madh në gatishmëri për të ndërhyrë në tregun e lojtarëve.

N'Dicka iu bashkua Eintrachtit në vitin 2018. Deri më sot ai ka zhvilluar 114 paraqitje me klubin gjerman, ku ka shënuar edhe 9 gola. Në përgjithësi është prej mbrojtësve më të spikatur në Bundesliga dhe jo më kot ka përfunduar në radarin e Milanit.

Lajme të ngjashme