Pamje: Policë me armë në duar e arrestojnë gabimisht yllin e Milanit - NACIONALE

Pamje: Policë me armë në duar e arrestojnë gabimisht yllin e Milanit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Tiemoue Bakayoko, mesfushori i Chelseat i huazuar në Milan, u arrestua gabimisht nga oficerë të armatosur të policisë italiane.

Mesfushori francez ishte ndaluar dhe kontrolluar nga policia e Milanos, gjatë një shëtitjeje me veturë me një mik të vetin në qytetin italian.

Ky incident, i cili u konfirmuar nga autoritetet e Milanos, thuhet të ketë ndodhur në fillim të korrikut por u bë publik vetëm tani pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale.

Futbollisti 27-vjeçar, bashkë me mikun e vet, u ndalën dhe u kontrolluan nga zyrtarët policorë të cilët i kishin nxjerrë jashtë edhe armët e tyre.

Por pas vetëm pak minutave, policët e kuptuan se e kishin bërë një gabim të madh, duke e ndaluar njeriun e gabuar, një futbollist profesional dhe jo një kriminel të kërkuar.

Ky incident ka shkaktuar polemika në Itali, pasi policia e Milanos tani po akuzohet për racizëm.

Policia e Milanos ka thënë se përfshirja e Bakayokos në këtë sagë ishte thjesht një ngatërrim identiteti.

Në një komunikatë për media, policia e Milanos tha se pretendimet për racizëm ndaj zyrtarëve të saj janë plotësisht të pabaza: “Këto komente janë të pavenda”.

“Kontrolli ndodhi sepse Bakayoko dhe udhëtari tjetër iu përshtatën plotësisht, natyrisht rastësisht, përshkrimit (të personave të kërkuar nga policia), dhe natyrisht se përfundoi kur u kuptua se ai (zyrtari policor) e kishte ndaluar njeriun që nuk kishte të bënte me këtë”.

Edhe AC Milan është i vetëdijshëm për incidentin dhe ka biseduar me policinë lokale në përpjekje për të marrë përgjigje vetë për atë që kishte ndodhur.

Bakayoko është duke u përgatitur për fillimin e sezonit 2022/23, gjatë të cilit do ta kompletojë vitin e dytë në huazim nga gjiganti i Premierligës Chelsea.

Ai i bëri 18 paraqitje për kampionin e Italisë sezonin e kaluar.

Lajme të ngjashme