Megjithëse u ftua, Dresevic pritet të mungojë në ndeshjen kundër Armenisë - NACIONALE

Megjithëse u ftua, Dresevic pritet të mungojë në ndeshjen kundër Armenisë

3 vjet më parë

nga Shpend Thaçi

Ibrahim Dresevic u ftua nga përzgjedhësi Alain Giresse për dy ndeshjet miqësore që Kosova do t’i luajë këtë muaj. Megjithatë, Gazeta Nacionale merr vesh se ai pritet të mungojë në ndeshjen e nesërme kundër Armenisë.

Mbrojtësi Dresevic ishte ndër ojtarët e vetëm nga ata që janë titullarë të zakonshëm që mori ftesën nga përzgjedhësi i Kosovës për dy ndeshjet miqësore ndaj Armenisë dhe Ishujve Faroe.

Megjithatë, Gazeta Nacionale në bazë të informacioneve të siguruara ka kuptuar se lojtari në fjalë ka munguar në seancën stërvitore të fundit.

Kësisoj, gjasat që ai nesër të zbresë në fushë janë shumë të vogla, duke marrë parasysh që nuk e ka bërë qoftë edhe një seancë të vetme stërvitore me grupin.

I njëjti lojtar nuk është parë akoma asgjëkundi. Në konferencën për shtyp nuk u sqarua kjo çështje nga ana e përzgjedhësit të Kosovës, Giresse. Andaj nuk dihet nëse është vendosur të pushohet Dresevic apo nëse i njëjti do të vijë me vonesë në grumbullim.

Andaj nuk dihet nëse është vendosur të pushohet Dresevic apo nëse i njëjti do të vijë me vonesë në grumbullim.

Ajo çfarë nuk mund të mohohet është se mbrojtësi shtatlartë nuk ka qenë i pranishëm gjatë këtyre dy ditëve në përgatitjet e Kosovës.

Kontributi i përulur te Kosova

Dresevic me Kosovën ka bërë 21 paraqitje. Debutimi i tij i parë ka qenë më 10 tetor 2019 në miqësoren kundër Gjibraltarit, të cilën “dardanët” e fituan me rezultat 1:0.

Sidoqoftë, debutimin kuptimplotë në një ndeshje kualifikuese ai e bëri vetëm një muaj më vonë, në sfidën kundër Anglisë që u luajt në Prishtinë, që përfundoi 0:4.

Që atëherë, Dresevic si me përzgjedhësin e mëparshëm, Bernarnd Challandes, ashtu edhe me atë aktualin, Alain Giresse, ka qenë në shumicën e herave titullar. Ai ka mbuluar shpesh qoftë rolin e mbrojtësit qëndror, qoftë edhe atë të mesfushorit shkatërrues.

Përfaqësuesi kosovar shquhet për një kontribut shumë të çmuar që ka dhënë për kombëtaren, duke spikatur si fjalëpak e lojtar që përulësisht u nënshtrohet urdhrave të përzgjedhësit.

Nuk mbahet mend ndonjëherë nga ai të ketë bërë ndonjë ankesë për faktin e mungesës së minutazhit. E vërteta është se Kosovën e kishte pranuar që në mars të 2018-ës. Ndërkohë ai priti më shumë se tetë muaj për të debutuar në një ndeshje kualifikuese.

Gjatë këtij intervali kohor nuk ka bërë asnjë ankesë. Të paktën jo publikisht. Kujtojmë se ai tani vjen nga një periudhë solide që po kalon me Karagumruk në Turqi, ku është titullar i paprekshëm nga trajneri italian Andrea Pirlo. Vetëm ndeshjen e parë sezonale nuk e ka luajtur. Në të gjithë të tjerat ka gëzuar minutazh të plotë.

Lajme të ngjashme