Ludogorets – Ballkani: Parashikimi i rezultatit, më të rejat rreth skuadrave dhe formacionet e mundshme - NACIONALE

Ludogorets – Ballkani: Parashikimi i rezultatit, më të rejat rreth skuadrave dhe formacionet e mundshme

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Kampioni i Kosovës, Ballkani, ka një epërsi prej 2:0 nga ndeshja e parë e rundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve ndaj Ludogorets.

Kampioni bullgar e mirëpret Ballkanin në Huvepharma Arena sot, me bullgarët që janë në kërkim të ulin deficitin prej dy golave nga ndeshja e parë.

Në ndeshjen e parë dy skuadrat regjistruan nëntë tentime drejt portës, por vetëm ‘Xhebrailat’ ishin të saktë duke shënuar dy herë, ndërsa Ludogorets nuk arriti t’i shfrytëzonte shanset e krijuara në fundin e ndeshjes.

Ludogorets tre ditë më vonë nga ndeshja e parë me Ballkanin e filloi sezonin në kampionat me humbje, ku ishte vetëm humbja e dytë në 35 ndeshjet e fundit në ligë, duke bërë fillim shumë të keq në rrugën drejt mbrojtjes së titullit.

Në anën tjetër, Ballkani që u bë skuadra e parë kosovare që arriti në fazën e grupeve të një gare evropiane, me kualifikimin në Ligë të Konferencës sezonin e kaluar, ende nuk ka filluar kampanjën drejt mbrojtjes së titullit në Superligën e Kosovës.

Forma e dy skuadrave në gjashtë ndeshjet e fundit në garat evropiane

Ludogorets në gjashtë ndeshjet e fundit në gara evropiane ka pësuar katër humbje dhe dy fitore. Kampioni bullgar ishte në grupet e Ligës së Evropës sezonin e kaluar, ku përfundoi në vendin e tretë, për të kaluar në fazën e eliminimit direkt në Ligën e Konferencës.

Ballkani në anën tjetër ka gjithashtu rekord të njëjtë me dy fitore dhe katër humbje në gjashtë ndeshjet e fundit sa i përket garave evropiane. Kampioni i Kosovës e mposhti Sivassporin në grupe të Ligës së Konferencës, por dështoi në fund të kalonte grupet me katër pikë të grumbulluara.

Më të rejat rreth skuadrave

Ludogorets ka disa lojtarë që nuk do të jenë të gatshëm për lojë sot. Kapiteni Anton Nedyalkov nuk do të jetë as në këtë ndeshje pasi po vijon rehabilitimin nga operacioni, ndërsa të lënduar janë edhe Dinis Almeida dhe Denny Gropper.

Kurse Ballkani do të jetë me skuadër të plotë, përveç Albin Kaprës i cili nuk ka udhëtuar, por që nuk është se ka pasur minuta të shumta për të në gara evropiane. Pjesa tjetër e skuadrës është e gatshme për ndeshje siç pohoi dje në konferencë për shtyp trajneri Ilir Daja.

Formacionet e mundshme

Kampioni bullgar pritet të luajë me formacion 4-3-3 ashtu si në ndeshjen e parë dhe nuk pritet asnjë ndryshim.

Ludogorets: Padt; Witry, Plastun, Russo, Heister; Show, Goncalves, Nonato; Despodov, Tissera dhe Vidal.

Në anën tjetër kampioni i Kosovës do t’i besojë 11-shës që ia solli fitoren 2:0 nga ndeshja e parë.

Ballkani: Koliçi; Thaqi, Dellova, Jashanica, Trashi; Emërllahu, Kuc, Zyba; Korenica, Rrahmani dhe Gripshi.

Parashikimi i rezultatit

Sportsmole nga Britania e Madhe ka parashikuar një rezultat 2:2 nga ndeshja e sotme, apo rezultat të përgjithshëm 4:2 në të mirë të kampionit të Kosovës.

Në shpjegimin e këtij parashikimi thuhet se Ballkani do të jetë skuadër e vendosur për ta përfunduar punën sot, ndërsa Ludogorets nuk ka zgjidhje tjetër veçse të sulmojë dhe prandaj ndeshja do të jetë kaotike dhe do të ketë gola të shumtë në këtë ndeshje.

Lajme të ngjashme