Ilir Daja: Nuk do të mbrohemi vetëm pse kemi epërsi prej dy golave, do ta zhvillojmë futbollin tonë - NACIONALE

Ilir Daja: Nuk do të mbrohemi vetëm pse kemi epërsi prej dy golave, do ta zhvillojmë futbollin tonë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, në konferencë për shtyp një ditë para ndeshjes së kthimit në kuadër të kualifikimeve për Ligë të Kampionëve ka thënë se skuadra e tij nuk do të mbrohet, pavarësisht rezultatit 2:0 dhe se do të luajnë ashtu siç luajtën në Prishtinë një javë më parë.

Daja thotë se kundërshtari duhet të respektohet por nuk duhet mohuar vlerat që ka skuadra e tij, pasi kanë kohë që po paraqiten mirë në Evropë.

“Nesër do të mundohemi ta bëjmë lojën tonë, ashtu siç bëmë edhe në Prishtinë, duke vlerësuar drejt kundërshtarin, por duke mos mohuar vlerat tona, sepse kemi kohë që paraqitemi mirë në garat evropiane.”

Tutje trajneri shqiptar ka treguar se si do të qasen në takimin e nesërm.

“Ne do të mbrohemi siç jemi mbrojtur gjithmonë. Kemi qenë gjithmonë fleksibël, pra nuk kemi pasur një strategji për të qëndruar prapa apo duhet të bëjmë presing të fortë. Besoj që edhe nesër do të paraqitemi ashtu, ne kemi një pasqyrë nga viti i kaluar në këto gara, sepse asnjëherë nuk kemi humbur kur kemi qenë diferencë prej dy golave. Nuk jemi mbrojtur asnjëherë, por kemi luajtur në mbrojtje me gjithë ekipin dhe të luash në dy fazat e lojës shumë fortë. Pra nesër do të jemi fleksibël si gjithmonë, duke u mbrojtur dhe sulmuar, natyrisht që kemi bërë strategji në bazë të rezultatit 2:0, por kjo nuk do të jetë primare, pasi primare është futbolli cilësor i instaluar me futbollistët cilësorë që kemi në skuadër.”

Ai është i vetëdijshëm që kundërshtarët do të aplikojnë futboll më agresiv për shkak të disavantazhit, por thotë se kjo nuk do të bëjë që skuadra e tij të koncentrohet vetëm në mbrojtje.

“Edhe para ndeshjes së parë e dinim sepse e kishim studiuar kundërshtarin, duke respektuar maksimalisht sepse përveç që kanë cilësi individuale, ata bëjnë një futboll të mirë në sensin taktik dhe ne bëmë lojën tonë që rezultoi pozitivisht. Ne nuk do nisemi nesër me rezultatin 2:0, nuk do të mbrohemi veç pse kemi fituar me dy gola epërsi. Nesër do të punojmë shumë si në fazën sulmuese ashtu mbrojtëse. Ludogorets do të aplikojë lojë më sulmuese pasi ka dy gola disavantazh, por ne nuk do të mbrohemi apo mirë të themi do të bëjmë njëjtë si në ndeshjen në Prishtinë.”

Sa i përket skuadrës, trajneri konfirmoi se përveç Albin Kaprës që mungon për shkak të një virusi, pjesa tjetër është e gatshme për lojë.

“I gjithë kontingjenti është i gatshëm, përveç Kaprës që ka një virus. Pjesa tjetër e ekipit është e gatshme për lojë. Edhe Kryeziu që mungoi edhe Jashanica do të jenë të gatshëm, me këtë të fundit që pati një lëndim në ndeshjen e parë.”

Lajme të ngjashme