Ballkani synon kualifikimin në rundin e dytë, 'Xhebrailat' në Bullgari për ta mbrojtur avantazhin prej dy golave ndaj Ludogorets - NACIONALE

Ballkani synon kualifikimin në rundin e dytë, 'Xhebrailat' në Bullgari për ta mbrojtur avantazhin prej dy golave ndaj Ludogorets

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kampioni i Kosovës Ballkani sot zhvillon ndeshjen e kthimit në kuadër të rundit të parë të kualifikimeve për Ligë të Kampionëve, ku ka udhëtuar në Bullgari te Ludogorets, pas fitores 2:0 në ndeshjen e parë në Fadil Vokrri një javë më parë.

‘Xhebrailat’ do të tentojnë ta mbrojnë rezultatin nga takimi i parë, ndonëse lojtarët dhe trajneri Ilir Daja kanë premtuar që nuk do të luajnë futboll defensivë, por do ta zhvillojnë lojën e tyre siç jemi mësuar t’i shohim gjithmonë.

Kampioni bullgar ashtu si në ndeshjen e parë edhe në këtë ndeshje janë favoritë në letër, por këtë Ballkani tashmë e ka mësuar, duke iu shkaktuar probleme shumë skuadrave favorite, si herën e fundit në grupet e Ligës së Konferencës.

Ludogoretsit sikur mos t’i mjaftonte humbja ndaj Ballkanit në ndeshjen e parë, ata filluan kampionatin bullgar me humbje 3:1 ndaj Krumovgradit, duke marrë vetëm humbjen e dytë në 35 ndeshjet e fundit në ligë dhe duke bërë fillimin më të keq të mundshëm në mbrojtje të titullit kampion.

Në anën tjetër, Ballkani, ende nuk ka filluar sezonin e ri në Superligën e Kosovës dhe i tërë fokusi i skuadrës kampione është në kualifikimet në garat evropiane.

Ludogorets në këtë ndeshje do të hyjë me tri mungesa, ku do të jenë pa kapitenin Anton Nedyalkov i cili po rikuperohet nga operacioni, gjithashtu Dinis Almeida dhe Denny Gropper janë të lënduar.

Ballkani ka udhëtuar në Bullgari me pothuajse kapacitete të plota, pasi mungon vetëm Albin Kapra, i cili është infektuar me një virus siç potencoi trajneri Daja në konferencë për shtyp dje, të tjerët do të jenë të gatshëm të gjithë, edhe Jashanica që pati disa probleme në ndeshjen e parë.

Ndeshja do të zhvillohet sot me fillim nga ora 20:00 në Huvepharma Arena dhe krejt çfarë i nevojitet skuadrës kampione të Kosovës është ta mbrojë avantazhin prej dy golave nga ndeshja e parë për të kaluar tutje në rundin e dytë të kualifikimeve.

Lajme të ngjashme