L'Equipe: Lionel Messi ende s'e ka pranuar ofertën e PSG-së, mund të largohet në verë
Gazeta e madhe franceze "L'Equipe" ditën e enjte ka raportuar se sulmuesi Lionel Messi ende s'ka pranuar ta rinovojë kontratën.
Vetëm disa javë më parë u spekulua për një marrëveshje verbale mes argjentinasit dhe gjigantit francez, por mesa duket një gjë e tillë nuk është plotësisht e vërtetë.
Sipas gazetës franceze, Messi ende s'është i bindur plotësisht nga projekti në "Parkun e Princave", prandaj nuk ka dhënë ndonjë përgjigje përfundimtare me PSG-në që kanë dërguar ofertën e tyre.
Gjithnjë në bazë të raportit, gjasat janë shumë të barabarta nëse do të vazhdojë qëndrimin apo të largohet në verë si agjent i lirë.
Messit i skadon kontrata momentale në verë dhe ka mundësi ta aktivizojë klauzolën për ta vazhduar edhe për një vit, mirëpo PSG-ja i ka propozuar kontratë për dy vite (Një me mundësi vazhdimi për një tjetër).
Nga ana tjetër, Barcelona është e interesuar për ta rikthyer në “Camp Nou”, edhe pse momentalisht nuk ka asgjë konkrete.
Kurse, skuadra amerikane Inter Miami haptas ka konfirmuar se e duan shtatë herë fituesin e Topit të Artë, mirëpo pasi fitoi Kupën e Botës me Argjentinën lojtari mbetet i pasionuar që të vazhdojë të tregojë kualitetin në Evropë.
Së fundmi u raportua se edhe rivali i Al Nassr, Al Hilal është duke përgatitur një ofertë të ‘çmendur’ prej 300 milionë eurove në vit për ta bindur argjentinasin të transferohet në Arabinë Saudite.
Messi e nisi për mrekulli ndeshjen e parë pas Kupës së Botës, duke shënuar ditën e mërkurë në fitoren 2:0 ndaj Angers.
