Largimi nga United, marrëdhëniet me Messin, pensionimi – Krejt çka tha Ronaldo sonte
Ylli i Portugalisë dhe i Manchester United, Cristiano Ronaldo, kishte shumë për të thënë edhe në pjesën e dytë të intervistës me Piers Morgan. Ai u ndal në shumë çështje. Te pensionimi i tij, largimi nga djajtë e kuq, marrëdhëniet me Lionel Messin, shanset e Portugalisë në Kupën e Botës, e shumë e shumë tjera, të cilat mund t’i lexoni më poshtë.
37-vjeçari pjesën e dytë të intervistës e filloi duke folur për shtytjen e tij kryesore për të luajtur, si dhe tregoi se ai e sheh futbollin edhe si biznes.
“Rekordi, adrenalina. Por, le të jemi të sinqertë, futbolli ka ndryshuar vitet e fundit. Unë e shoh futbollin tani si një biznes për të qenë i sinqertë. Ndonjëherë shprehja e Georginas, se 'nuk e kuptoj që ju trajtojnë lojtarët si një copë mishi'. Unë them, 'Po, kjo është e vërtetë'... Unë e shoh futbollin në vitet e fundit si biznes. Kam parë shumë e shumë gjëra që jam zhgënjyer. Pasioni për lojën është ende i paprekur, por unë shohë përtej kësaj.
Ronaldo thotë se u provokua nga Ten Hag në ndeshjen ndaj Tottenham, ku pas asaj ndeshje ylli portugez u dënua.

“Ai tha se nuk më futi ndaj Manchester Cityt për hir të respektit, por në ndeshjen ndaj Tottenhamit dëshironte të më fuste në tre minutat e fundit, ky nuk është respekt, ky është provokim.”
Fituesi i pesë herë Topit të Artë tha se ishte shumë i zhgënjyer me vendimin e klubit për ta dënuar pas kësaj ndeshje dhe e pa si vendim strategjik.
“Mendoj se ishte strategji nga klubi të reagonte ashtu. Isha shumë, shumë por shumë i zhgënjyer me komunikatën e klubit. Të jem i sinqertë, unë asnjëherë nuk kam pasur probleme me skuadrat ku kam qenë, dënimi ishte poshtërues.”
Cristiano u pyet për të ardhmen e tij, pasi kjo intervistë shkaktoi shumë tensione, por portugezi tregon se fokusi i tij është Kupa e Botës dhe se nuk e di se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen.

“Është vështirë të thuhet tani. Fokusi im është vetëm Kupa e Botës, ndoshta Botërori i fundit i imi, nuk e di çfarë do të ndodhë më pas, vetëm e di se tifozët atje do të jenë gjithmonë në zemrën time.”
Portugalia ka shumë shanse në Kupën e Botës sipas kapitenit 37-vjeçar, por aty ka shumë konkurrentë të fortë, dhe në rast të triumfit në fund ai thotë se do të pensionohej 100%.
“Jam shumë optimist, kemi trajner dhe grup të jashtëzakonshëm. Do të jetë e vështirë, por sigurisht që do të konkurrojmë. Franca, Spanja, Argjentina, Brazili janë skuadra të mëdha që duhet mposhtur dhe nëse arrijë ta ndihmojë shtetin tim drejt triumfit do të tërhiqem menjëherë, 100% në pension.”
Një ditë më parë u paralajmërua se sulmuesi portugez do të fliste për rivalin e tij më të madh, Messin, dhe këtë e bëri në mënyrën më të mirë duke pasur vetëm fjalë të mira për të.
“Lojtar i mrekullueshëm, magjik. Ne ndamë skenën për 16 vite, imagjinoni. Kemi marrëdhënie të shkëlqyera, pak a shumë si shok skuadre. Një djalë që e respektoj shumë edhe për mënyrën se si flet për mua, çfarë të them më shumë për Messin? Një djalë i mirë që ka bërë dhe bënë shumë për futbollin.”

Ronaldo nuk e ka në plan pensionimin për momentin dhe thotë se mund të luajë edhe dy apo tre vjet të tjera, por insiston se e ardhmja nuk dihet.
“Dua të luaj edhe dy vjet apo tre vjet më shumë. Pra, maksimumi dy ose tre vjet. Dua të përfundoj me 40. Mendoj se 40 do të jetë një moshë e mirë. Por nuk e di, nuk e di të ardhmen. Ndonjëherë planifikoni diçka tjetër për jetën, por jeta është dinamike dhe kurrë nuk e di se çfarë do të ndodhë.”
Një tjetër moment që bëri bujë me tituj të shumtë ishte edhe takimi me një psikolog kontrovers siç është Jordan Peterson, por Ronaldo thotë se ai është një person i mrekullueshëm dhe se ka lexuar librin e tij.
“Njeri i mrekullueshëm. Unë jam një fans i madh i tij. Lexova librin e tij, 12 Rregullat, dhe ndjeva se ai ishte një djalë vërtet interesant dhe më pëlqen të takoj njerëz të zgjuar. Njeri fantastik. Mësova shumë nga disa këshilla që ai më jep.”

Ylli portugez për fund la një pikëpyetje të madhe, pasi tha se kur ai u largua nga miqësorja me Rayo Vallecanon para kohe, ishin edhe tetë lojtarë të tjerë që u larguan, për çka thotë se nuk e kupton se pse vetëm ai përmendët.

“Së bashku me mua u larguan edhe tetë futbollistë të tjerë nga ajo ndeshje para kohe, nuk e kuptoj se pse vetëm unë përmendëm. Në vitin e kaluar gjithashtu shumë lojtarë e bënë këtë, por asnjëherë nuk ishin cak, vetëm emri im ishte aty. E kuptoj ishte gabimi im, kërkova falje, ajo ngjarje përfundoi.”


