Manchester Unitedi merr masa disiplinore ndaj Ronaldos: E lë në shtëpi për ndeshjen e radhës kundër Chelseat
Sulmuesi portugez, Cristiano Ronaldo, nuk do të jetë pjesë e skuadrës së Manchester United për ndeshjen e së shtunës kundër Chelseat, kështu ka njoftuar faqja zyrtare e djajve të kuq me anë të një komunikimi pak minuta më parë.
Sulmuesi portugez u largua nga Old Trafford para përfundimit të fitores së mërkurës në Premierligë ndaj Tottenhamit.

“Cristiano Ronaldo nuk do të jetë pjesë e skuadrës së Manchester United për ndeshjen e kësaj të shtune në Premierligë kundër Chelseat,” thuhet fillimisht në komunikatë.
“Pjesa tjetër e skuadrës është plotësisht e përqendruar në përgatitjen për atë ndeshje”, përfundon komunikata.
Ronaldo u largua drejt tunelit para se të përfundonte ndeshja
Megjithëse Unitedi i kishte përdorur vetëm tri prej pesë zëvendësimeve të lejuara gjatë fitores 2:0 kundër Tottenhamit të mërkurën, Ronaldo vendosi të largohet nga stoli më herët dhe u zhduk drejt tunelit të stadiumit Old Trafford.
Kjo ndodhi vetëm tri ditë pasi Ronaldo tregoi pakënaqësi pse trajneri e nxori nga loja herët në pjesën e dytë kundër Newcastle.
Pas barazimit 0:0 të dielën, Ten Hagu tha se nuk kishte asnjë problem me reagimin negativ të Ronaldos, por shtoi se portugezi duhet patjetër ta bindë atë se duhet të qëndrojë.

Reagimet nga ish-lojtarët e Manchester United
Me të parë këtë ngjarje nga futbollisti portugez, reaguan disa nga legjendat e klubit, ndër ta Patrick Evra, Rio Ferdinand e Gary Lineker.
Ferdinand tha se nëse Ten Hag dhe Manchester United nuk e shohin si pjesë të skuadrës, duhet ta lejnë të largohet në afatin e ardhshëm kalimtar.
"Unë e shoh vetëm në këtë mënyrë, logjikisht ai nuk luajti mbrëmë. Mendoj se Ronaldo është tejet i zemëruar me të, natyrisht".
"Nuk do të prisja ndryshe nga ai. Mendoj se është një problem i madh që Ten Hag e ka me të, duke nisur nga afati i ardhshëm veror, ai duhet të mendoj me kujdes së çfarë duhet të bëjë. Nëse nuk e sheh Ronaldon si startues në skuadër, mendoj se duhet ta lirojë nga kontrata e tij".
Ish-sulmuesi i Anglisë Gary Lineker tha se sjellja e Ronaldos e tërhoqi vëmendjen panevojshme nga paraqitje brilante e Unitedit kundër Spurs.
“Më vjen keq, por kjo është e papranueshme, shumë keq prej tij”, tha Lineker të mërkurën.
Ndërsa Evra i doli në krah ish-bashkëlojtarit të tij te djajtë e kuq.
"Do të nisja me Ronaldon. Në një intervistë Ten Hag para ndeshjes ndaj Man Cityt tregoi se nuk e futi Ronaldon në lojë shkaku i respektit për karakterin e tij".
"Nëse do ta respektonte karakterin e tij, ai sigurisht do ta luante atë në të gjitha ndeshjet".



