Kosova ende s'e ka pjesë të saj, por Topalloj vazhdon afirmimin në Angli te Millwall
Besart Topalloj ka kaluar me sukses provën te Millwall, kur klubi anglez vendosi që ta grumbullojë me skuadrën e parë në fazën parapërgatitore verore.
Sezoni i ri i ligës së dytë angleze, e njohur si Championship, fillon gjatë kësaj fundjave. Përveç përfaqësuesve kosovarë si Aro Muric dhe Milot Rashica, pjesë e kompeticionit në fjalë mund të jetë edhe një emër tjetër, gjithnjë bashkëkombës i tyre. Fjala është për Besart Topallojn.
Mbrojtësi 21-vjeç është zhvilluar dhe rritur te grupmoshat e reja të Millwall. Me kalimin e kohës është kalitur për të vazhduar drejt të shndërruarit në lojtar profesionist.
Paraqitjet e tij të mira, si dhe forma e treguar edhe në seancat stërvitore kur është ftuar nga skuadra e parë, kanë bindur trajnerin Gary Rowett që të llogarisë në të.

I kontaktuar nga Kosova
Kur flitet për Besart Topallojn dhe Kosovën duhet ta kemi parasysh faktin se lojtari në fjalë ka qenë dikur pjesë e grupmoshës U19 të udhëhequr nga Ramiz Krasniqi. Edhe pse jo i ftuar në ndeshjet kualifikuese, ai ishte në radarin e Kosovës, duke u grumbulluar në disa kampe.
Burimet e Gazetës Nacionale të afërta me lojtarin kanë konfirmuar se Kosova ka treguar interesim që ta ketë sërish në radhët e veta. Ai deri para pak javësh ishte në procedurë të rregullt për t'u pajisur me pasaportë të Republikës së Kosovës.

Si rrjedhojë, Kosova U21 e ka kontaktuar atë më herët, por ngërrçi burokratik (që nuk është i pari e as i fundit) ka bërë të veten.
Gjithnjë sipas informatave që posedon Gazeta Nacionale, lojtari ka shprehur konsideratë për interesimin e Kosovës më herët dhe është shfaqur korrekt, me qasje serioze.
Një pozitë ku Kosovës i mungojnë alternativat
Çfarëdo lojtari i ri që del në sipërfaqje si talent premtues dhe që mbulon krahun e majtë të mbrojtjes, ngjall menjëherë kërshëri, ngase mungesat e opsioneve në atë repart janë evidente.
Për ironi të fatit, të gjitha grupmoshat e Kosovës, duke përfshirë këtu edhe vetë kombëtaren seniore - ndajnë të njëjtën kokëçarje.
Në vazhdën e këtij çalimi, Besart Topalloj shihet si një opsion për t'u konsideruar dhe zhvillimi i tij është krejtësisht për t'u vezhguar, meqë gjatë viteve të fundit lojtarët kosovarë që mbulojnë atë rol dhe që kanë defiluar në grupmoshat e reja - kanë dështuar ta bëjnë hapin e madh drejt afirmimit si lojtarë profesionistë.

Në saje të kësaj logjike, edhe Kosova dëshiron që ta mbajë të gjallë çdo kontakt me përfaqësuesit e Topallojt dhe vetë atë, për të parë se si do të evoluojë karriera e tij në rëng klubi.
Trajneri i Millwall shpreh fjalë të mira për Topallojn
Besart Topalloj u përzgjodh në mesin e disa të rinjve për të qenë pjesë e skuadrës së parë të Millwall, në kuadër të parapërgatitjeve që klubi anglez po i zhvillon në prag të fillimit të edicionit të ri në kampionatin e Championship.
Vetë trajneri i Millwall, Gary Rowett, shprehi të gjithë vlerësimin maksimal për atë çfarë ka dëshmuar mbrojtësi kosovar. Njashtu, ai tregoi se huazimi do të ishte gjëja më e mirë për momentin.
"Besarti ka treguar formë të mirë. Nëse do të gjenim një skuadër që do të mund ta merrte në formë huazimi, do të ishte fantastike. Por, ajo çfarë ka demonstruar deri më tani është mbulimi i mirë në krahun e majtë të mbrojtjes, aty ku çalojmë paksa", shtoi ai.

Në vazhdim të prononcimit, Rowett në formë koncize deklaroi se nuk do të ngurronte aspak që ta vendoste Topallojn në fushë para tifozëve nikoqirë.
"Kur ka hyrë në fushë ka treguar paraqitje të mira gjatë miqësoreve. Kështu që, jam shumë i sigurt se nuk do të hezitoja që ta vendosja në fushë për të luajtur para tifozëve tanë në shtëpi", u shpreh ai.
Millwall edicionin e ri në Championship do ta nisë të shtunën, në orarin tradicional të zhvillimit të ndeshjeve në Angli, respektivisht në ora 16:00, kur do të jetë nikoqir i Stoke Cityt.

