Krahu i majtë i mbrojtjes - "vrima e zezë" e Kosovës
Qëkur Kosova ka filluar rrugëtimin e saj si pjesëmarrëse e barabartë në kualifikimet për Evropian dhe Botëror, gjegjësisht nga viti 2016 për kombëtaren seniore dhe 2017-2018 për grupmoshat e reja, përzgjedhësit tanë nga U-17 tek A, gjithmonë kanë hasur në kokëdhimbje për ta zyrtarizuar listën me lojtarët e ftuar, sepse krahu i majtë i mbrojtjes sillte problematika, pasi mungesa e alternativave i vinte në këmbanë alarmi. As pas 5 vjetëve situata nuk ka ndryshuar. Mbesim në vendnumërim.
Opinioni futbolldashës kaherë ka vënë re disa çalesa që e karakterizojnë ekipin tonë kombëtar senior. Ekziston një koncenzus i përgjithshëm se pozitat ku ne ngecim si kombëtare, me mungesë alternativash apo të lojtarëve përspektivë për të ardhmen, kanë të bëjnë me portierët, qendërmesfushorët shkatërrues dhe organizativë, si dhe mbrojtësit natyralë të krahut të majtë. Prej kësaj vorbulle nuk bëjnë përjashtim as grupmoshat e reja të dardanëve. Inercioni është i njëjtë. Shqetësimet mbesin po aq të njëjta.
Vazhdimisht përzgjedhësit e U-17 dhe U-19 kanë dështuar ta përgatisin terrenin për U-21 dhe A, që t'i rekrutojnë dhe zhvillojnë mbrojtësit e majtë të cilët do ta bënin dallimin në kombëtaret e sipërpërmendura.
Fatin e Kosovës A e kanë pasur edhe grupmoshat e reja, ku me raste janë detyruar dhe vazhdojnë të detyrohen që të improvizojnë në atë krah të fushës, me lojtarë që nuk e kanë të natyrshme pozitën në fjalë. Kjo ka shkaktuar jo vetëm kokëçarje dhe telashe, por edhe pengesë që ç'orienton vendosjen e linjës defansive, duke e vënë atë në lajthitje.
Kur Kosova fitonte ndaj Maltës në tetor të 2018-es në Prishtinë, me rezultatin 3-1, respektivisht me dy golat e Benjamin Kolollit dhe një të Vedat Muriqit - bënte që pas tri ditësh në transfertën ndaj Ishujve Faroe të gjindeshim pa asnjë mbrojtës anësor të majtë. Kjo pasi Benjamin Kololli falë kartonit të verdhë që mori ndaj Maltës, ishte i suspenduar për t'u grumbulluar në ndeshjen vijuese, ndërsa Leart Paqarada vuante nga një lëndim i lehtë atëbotë. Kështu, Kosova humbi 2 pikë, pasi barazoi dhe goli i pësuar nga Ishujt Faroe vinte pikërisht nga krahu i majtë, ku atë ditë luante Ardin Dallku për herën e parë dhe të fundit me fanellën dardane. Ato dy pikë të humbura ishin me peshë, pasi na pamundësuan që ndeshjen gjysmëfinale ndaj Maqedonisë së Veriut ta luanim në Prishtinë, e jo në Shkup, për të përfunduar ashtu siç e dimë të gjithë, me një fund të hidhur.
Pra, Benjamin Kololli, në rreshtimin 3-5-2 të Zurich, luante si anësor i majtë i avancuar, kurse te Kosova përshtatej si mbrojtës i majtë, pasi Paqarada asokohe nuk bindte në disa prej ndeshjeve kur iu dhanë minutat në fushë. Megjithatë, kurrë as Albert Bunjaki më herët, e as Bernard Challandes më vonë, një prototip mbrojtësi të natyrshëm të majtë si alternativë nuk e kanë pasur.
Fatkeqësisht, as Superliga e Kosovës ndërkohë nuk nxori ndonjë lojtar premtues. Një ngërç i pafund që vetëm fryte nuk sillte. Mosha mesatare e lojtarëve të krahut të majtë në Superligën e Kosovës nga 5 skuadrat e mëdha që kryesojnë renditjen tabelare - është 29 vjeçe. Jo një shifër moshe që premton shumë.
Gjithsesi, kjo krizë na përcolli vazhdimisht në të gjitha kategoritë përgjatë këtyre viteve. Analogjia e njëjtë mund të konstatohet edhe tek U-21 momentalisht.
Shpresat e dardanëve si zgjedhje të parë si mbrojtës të majtë kanë 20 vjeçarin e Grasshopper, Florian Hoxha. Ky i fundit vetëm 1/4-en e ndeshjeve i ka luajtur në kampionatin helvet si titullar, te klubi nga qyteti i Zurich. Kurse zgjedhje e dytë është konsideruar vazhdimisht Leard Sadriu, lojtari ferizajas 20 vjeçar, që aktivizohet te Skënderbeu në kampionatin shqiptar, ani pse nuk është mbrojtës i majtë natyral.
Bëhet fjalë për një lojtar që është konsoliduar nga muaji në muaj dhe këtë sezon ka qenë rregullisht titullar në mbrojtjen e korçarëve. Qendër apo qendër e djathtë, për të nuk përbën problem. Lojtar i fortë, edhe pse duhet të rritet taktikisht e teknikisht, si dhe duhet të jetë më kërkues në aspektin sulmues. Sidoqoftë, ende jo i përgatitur për t'u pjekur si lojtar që do të trashegohej te Kosova A, siç është edhe vetë qëllimi dhe misioni i kombëtares U-21, si furnizuese e kombëtares së parë seniore.
Edhe këtu, njësoj sikurse te rasti i mëhershëm i përmendur me kombëtaren A, kjo "vrimë" ka vë në pah probleme të theksuara në ndeshjet e U-21, ku ajo pjesë e fushës u bë vazhdimisht shkas i pësimit të golave dhe i rënies së skuadrës në lojë.
Në rastin konkret, kur jemi te Kosova U-21, Ardi Morina i të rinjve të Zurich apo Besfort Topallaj i Milwall U-23, mund të shqyrtohen si opcione për t'u ftuar, pasi të njëjtit kanë kaluar përmes kombëtares dardane të U-19 dhe aktivizohen rregullisht në kampionatet respektive.
Mbetet për t'u parë si do të operojë shtabi i ri teknik i U-21 në këtë drejtim dhe ato të grupmoshave tjera të reja përgjithësisht. Një spirale për momentin nuk po shihet, por kjo nuk do të thotë që ky tunel është i pafund, paçka drita e të cilit nuk do të vihet në dukje asgjëkundi në të ardhmen e afërt.