Konfirmohet për Gazetën Nacionale: Astrit Selmani pranë transferimit te Hapoel Beer Sheva
Astrit Selmani ka ndarë mendjen. Burimet e afërta me lojtarin dhe agjentët e tij, i kanë thënë Gazetës Nacionale se marrëveshja me Hapoel Beer Shevën është gati e përfunduar.
Fillimi i sezonit të ri me Hammarbyn nisi në mënyrën më të keqe të mundshme për Astrit Selmanin. Raporti i mangët me golat, pakënaqësi me trajnerin e ri të emëruar nga klubi, Cifuentes, si dhe ishte në qendër të kritikave te shtypi suedez.
Duke i ditur gjithë këto rrethana, largimi u bë e vetmja zgjidhje. Edhe pse ai heraherës u mundua ta fshehë një gjë të tillë për mediet suedeze, në prapaskenë që moti është duke u punuar, me disa klube që kanë shprehur interesim për të.
Transferimi te Hapoel Beer Shefa, thuajse çështje e kryer
Burimet e Gazetës Nacionale të afërta me përfaqësuesit e lojtarit dhe vetë atë, kanë treguar se marrëveshja tanimë mund të definohet thuajse e kryer.
Me një konfirmim konciz, pa dhënë edhe shumë detaje tjera, Gazeta Nacionale mori vesh se kampionati izraelit, respektivisht Hapoel Beer Sheva - do të jetë destinacioni i radhës i sulmuesit 25-vjeç mitrovicas.

Në bazë të informatave të siguruara, marrëveshja mes Hammarbyt dhe Hapoel Beer Shevas do të përmbyllet për 1 milion euro. Klubi që më së shumti i ka kënaqur kërkesat e atij ka qenë pikërisht ai izraelit dhe për këtë arsye e ka zgjedhur atë.
Ndërkohë, përfaqësuesit e lojtarit kanë refuzuar edhe skuadra tjera, të cilat nuk ishin të gatshme t'i plotësonin qoftë kërkesat e lojtarit apo ato të klubit të Hammarbyt, për ta liruar sulmuesin kosovar që të largohej
Interesimi i Lecces dhe Clermont
Gazeta Nacionale para disa javësh kishte raportuar rreth një interesimi të Lecces dhe Clermontit për Selmanin. Vetë drejtori sportiv i Hammarbyt dy ditë pasi Gazeta Nacionale e kishte publikuar lajmin, e konfirmoi interesimin në fjalë si të vërtetë.
Raportimin e Gazetës Nacionale e konfirmoi si të vërtetë edhe e përditshmja më e madhe sportive italiane, La Gazzetta Dello Sport, ku theksonte faktin se Lecce po e vëzhgonte me kërshëri situatën rreth Selmanit, duke shprehur interesim.
Mirëpo, në fund Lecce nuk ka këmbëngulur që ta marrë Selmanin, duke zgjedhur opsione tjera për repartin sulmues.
Ndërkaq, në rastin e Clermont, kemi të bëjmë me një klub që ka hapësirë buxhetore fare të reduktuar për të operuar në tregun e sivjem të lojtarëve dhe medoemos e kishte të vështirë që të bënte ndonjë ofertë konkrete. Pra, u mjaftua me një interesim.

Tanimë të gjitha këto i përkasin të shkuarës, pasi sulmuesi kosovar pritet që nesër ta luajë ndeshjen e fundit me fanellë e Hammarbyt dhe në javën e ardhshme, nëse gjithçka shkon sipas planit, do të federohet si lojtar i Hapoel Beer Shevas, për të qenë gati për sezonin e ri që po ashtu fillon nga fundjava e ardhshme në Izrael.
Kriza te Hammarby
Vit i vështirë ka qenë ky i sivjemi për Astrit Selmanin. Në 13 paraqitje ai ka regjistruar vetëm 2 gola dhe një asist. Golin e parë në kampionatin suedez të sivjem e gjeti tek në ndeshjen e nëntë. Nga qershori ai edhe përfundimisht e humbi pozitën e titullarit.
Kjo rënie e formës së tij ishte penalizuese për të nga çdo aspekt. Përveç se u defektorizua brenda skuadrës së tij, duke mos qenë më zgjedhja e parë e trajnerit - ai nuk u ftua as te Kosova për katër ndeshjet që kombëtarja dardane i zhvilloi gjatë qershorit.
Gjithsesi, fakti që kalon nga liga suedeze (për më tepër nga një skuadër që sivjet është e konsoliduar mirë dhe lufton për të dalë në Evropë) te një skuadër izraelite, në një kampionat dukshëm më inferior - tregon regres të skajshëm.
Hapoel Beer Sheva
Skuadra izraelite i ka të fituara 5 tituj kampionë, 6 kupa të ndryshme vendore dhe 3 Superkupa izraelite.
Gjatë viteve të fundit ka filluar të marrë pjesë më shpesh në garat evropiane. Gjatë mesjavës së ardhshme do të luajë kundër Dinamo Minsk në rrethin e dytë kualifikues për në Conference League.
Astrit Selmani do të mund të debutojë në këtë garë nëse jo më 21 korrik, atëherë me shumë gjasë më 28 korrik.
Klubi në fjalë ka arritur të marrë pjesë gjithsejt 3 herë në Ligën e Kampionëve dhe 7 herë tjera në Ligën e Evropës, pa i përmendur kompeticionet tjera evropiane që kanë ekzistuar në të kaluarën.



