Mallkimi i golit në kampionat, thumbimet në drejtim të ish-trajnerit serb - fillim sezoni i Astrit Selmanit
Sulmuesi 24-vjeç dardan, Astrit Selmani, ende nuk ka arritur të zhbllokohet në edicionin e sivjem të kampionatit suedez. Në gjashtë ndeshjet e para sa janë luajtur deri më tani, golave i është afruar, por efikasiteti i ka munguar. Gjithnjë në qendër të vëmendjes nga shtypi suedez, thumbues në drejtim të ish-trajnerit të tij Milos Milojevic - sulmuesi kosovar çdoherë din të jetë maestral në ringjalljen e shpirtit ekipor, si një motivues i rrallë brenda dhe jashtë fushës.
Ai para derbit ndaj Malmos deklaroi që nuk ndjente asgjë më ndryshe sesa zakonisht nga fakti që do të përballej ndaj trajnerit serb, Milos Milojevic, i cili e kishte stërvitur vitin e kaluar skuadrën e Hammarbyt, e që tani është në drejtim të Malmos. Selmani theksoi që duhet të vlente e kundërta, pasi Milos do të duhej ta përjetonte më shumë atë emocion, ngase atij nuk i bënte përshtypje kjo gjë.
Ky prononcim bëri që të hapte shumë diskutim në Suedi.
Pavarësisht tipareve të shumta pozitive, edhe Selmani tashmë ka filluar ironikisht t'ia parashtrojë disa pyetje vetes, nëse është koha për të ndryshuar qasje, duke u larguar paksa nga altruizmi, për të qenë më egoist, në mënyrë që t'i përkthehet mundi me gola të shënuar.
Diçka të tillë e shprehi gjatë ditës së pasdjeshme për shtypin suedez, si rrjedhojë e faktit që po i parashtrohen pyetje të vazhdueshme në lidhje me mos shënimin e asnjë goli deri më tani në kampionat.
Vlerësimi i opinionistëve suedez të futbollit është se Hammarby ka pasur punë të lehtë deri dje, pasi është përballur kryesisht me rivalë të lehtë, të zonës së poshtme tabelare. Mirëpo, gjatë ditës së djeshme kur ishin nikoqirë të Malmos, Selmani me bashkëlojtarët tjerë treguan paraqitje të nivelit të lartë, përkundër që ndeshja përfundoi me rezultat 0:0, por për disa nuanca vendasit ishin më dominues në fushë.
Gjithsesi, Hammarby udhëheq kampionatin. Nisja është e mbarë. Gjithçka duket bukur. Por, kur do të çlirohet Selmani nga frustrimi i mos gjetjes së golit?
Duket çështje kohe, pasi në të gjitha parametrat statistikore Selmani ka shënuar rritje për dallim nga sezoni i kaluar, hiç golat, natyrisht. Pra, nëse i marrim pikë referimi parametrat si mesatare për një ndeshje, atëherë ka shënuar progres linear në secilën prej tyre.
Gjatë këtyre gjashtë paraqitjeve të para ka goditur shtylla, ka rritur pasimet e fundit për bashkëlojtarët, harkimet në zonë, si dhe ka shtuar duelet e fituara si tokazi, ashtu edhe në ajr. Të gjitha këto parametra i posedon në vijë optimale. Mirëpo, ngushëllimin nuk e gjen assesi pasi goli i mungon shumë, për ta larguar paksa edhe presionin nga vetja.
Madje, edhe duke qenë si qendërsulmues i cili sakrifikon shumë edhe jashtë pozitës së tij, duke u kthyer në mesfushë për t'i ndihmuar bashkëlojtarëve të tij në rekuperim të topave dhe duke ushtruar presion asfiksues te mbrojtësit kundërshtarë kur përpiqen ta nisin aksionin nga e para - sulmuesi mitrovicas në vazhdën e këtyre ndeshjeve të para të fillim sezonit është treguar edhe më elastik në driblime, për dallim nga sezoni i kaluar.
Trajneri dhe bashkëlojtarët i kërkojnë ta largojë altruizmin
Fakti që Selmani tregohet shumë bujar dhe altruist, tashmë ka bërë që trajneri i tij spanjoll, Marti Cifuentes, si dhe bashkëlojtarët të kërkojnë nga ai që të mendojë më shumë për veten, duke u treguar egoist në momentet e duhura, por ai sërish heziton sipas tyre.
"Po, këtë ia kam kërkuar unë dhe të gjithë lojtarët. Bashkëlojtarët e tij mendojnë se po bëhet shumë jo egoist në disa situata të caktuara. Jam duke punuar në këtë drejtim, por nuk është e lehtë për mua, pasi edhe unë si futbollist kam qenë prototip i njëjtë.
"Tani ta ndryshoj stilin tim të luajturit futboll për ta koncentruar lojën te një lojtar që shënon i vetëm, është tej mase e vështirë", deklaroi trajneri spanjoll i Hammarbyt.
Pra, edhe mos shënimi i golave nga Selmani nuk përbën ndonjë shqetësim të madh për trajnerin e Hammarbyt, sepse më i çmuar sesa goli, është prirja e tij për t'u angazhuar në tërë fushën, duke vendosur rëndësinë e ekipit para statistikave vetanake.