KOK: Për keqardhje gjesti që Qipro bëri ndaj karateistëve kosovarë, vendimi ishte kryekëput politik - NACIONALE

KOK: Për keqardhje gjesti që Qipro bëri ndaj karateistëve kosovarë, vendimi ishte kryekëput politik

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka reaguar ashpër ndaj pengesës që Qipro bëri ndaj karateistëve kosovarë, duke mos ua mundësuar atyre që të garojnë si të barabartë me simbole shtetërore.

Një episod i radhës i hidhur ndodhi sot në kurriz të sportistëve kosovarë. Këtë herë e pësuan karateistët, pasi zyrtarët e Qipros nuk lejuan pjesëmarrje të barabartë duke ia mohuar të drejtën Kosovës që të garojë me simbolet shtetërore.

Kësisoj, i tërë delegacioni i Kosovës ka vendosur të tërhiqen nga garat, gjë që e konfirmoi edhe sekretari gjeneral i Federatës së Karatesë së Kosovës, Nazmi Gashi.

Jo s’kemi garuar normalisht, i tërë delegacioni është tërhequr përfshirë garuesit dhe gjyqtarët”, tha ai.

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) përmes një njoftimi që publikoi gjatë mbrëmjes dënoi ashpër sjelljen si të zyrtarëve qipriotë, ashtu edhe asaj të Federatës Evropiane të Karatesë, që hasi në vesh të shurdhër pas të gjithë diskriminimit që ndodhi.

“Është për keqardhje gjesti i sotëm i qeverisë së Qipros, e cila nuk lejoi karateistët tanë të garojnë të barabartë në Kampionatin Evropian për kadetë, juniorë dhe U-21, që nisi sot në Larnaca.Edhe më keq është kur ndaj këtij vendimi nuk mori masa Federata Evropiane e Karatesë (EKF), e cila u dorëzua përballë autoriteteve vendëse”, shkroi fillimisht.

Gjithashtu, KOK u zotua se do të ndërmarrë masat e nevojshme ndaj asaj çfarë ndodhi sot, duke e quajtur si vendim kryekëput politik.

“KOK do të ndërmarrë masat e nevojshme ndaj këtij vendimi diskriminues, i cili është kryekëput politik dhe që nuk ka të bëjë me sportin”, u tha më tej.

Gjithashtu, Komiteti Olimpik i Kosovës përgëzoi qasjen e Federatës të Karatesë së Kosovës, që nuk pranoi assesi të paraqitej pa simbole shtetërore.

“Sidoqoftë, KOK përgëzon vendimin e Federatës së Karatesë së Kosovës dhe komplet ekspeditës, që vendosi të bojktojë kampionatin, duke mos lejuar të diskriminohen dhe të garojnë pa simbolet shtetërore, ashtu siç kërkuan qipriotët”, përfundoi shkresa zyrtare e KOK-ut.

Lajme të ngjashme