Qipro s’i lejon karateistët kosovarë të garojnë me simbole shtetërore, ekipi i Kosovës tërhiqet nga turneu
I tërë delegacioni i Kosovës në karate, përfshirë gjyqtarët dhe pjesëmarrësit janë tërhequr nga garat në turneun e Qipros shkaku që nuk iu lejuan simbolet shtetërore, gjë që e konfirmoi sekretari Nazmi Gashi për Gazetën Nacionale.
Zyrtarët e Qipros nuk lejuan pjesëmarrje të barabartë duke ia mohuar të drejtën Kosovës që të garojë me simbolet shtetërore.
Kësisoj, i tërë delegacioni i Kosovës ka vendosur të tërhiqen nga garat, gjë që e konfirmoi edhe sekretari gjeneral i Federatës së Karatesë së Kosovës, Nazmi Gashi.
“Jo s’kemi garuar normalisht, i tërë delegacioni është tërhequr përfshirë garuesit dhe gjyqtarët”.
Gashi gjithashtu tregoi se FKK-ja ishte ankuar te Federata Evropiane edhe para se të nis turneu, e tani do të vlerësojnë hapat e radhës.
“Na patëm bërë një kërkesë para se të shkonim në Qipro. Tani jemi në bisedime me MKRS-në dhe do të diskutojmë lidhur me hapat e radhës”, deklaroi ai.
Në një video të publikuar nga FKK-ja, shihen flamujt e 48-të shteteve pjesëmarrëse, derisa mungon vetëm i Kosovës i cili është zëvendësuar nga një flamur i bardhë ku shkruhej “Federata e Karatesë së Kosovës”.
“Federata e Karatesë e Kosovës e përbërë nga 45 anëtarë tash e dy ditë gjendet në Larakë të Qipros ku po mbahet "Kampionati Evropian për Kadet, Junior dhe U21".
“Sot pas shumë përpjekjesh NUK u lejuam të marrim pjesë si të barabartë me 48 shtetet evropiane pjesëmarrëse në këtë kampionat zyrtar të EKF (Federata Evropiane e Karatesë) meqenëse na u mohua e drejta për përfaqësim me simbolet shtetërore nga institucionet shtetërore të Qipros”, shkroi FKK në “Facebook”.