Lojtarët e Real Madridit paralajmërohen se i pret dhuna në Beograd, pas rrahjes masive me Partizanin në Madrid
Disa basketbollistë të Euroligës e kanë këshilluar Real Madridin të mos udhëtojë fare drejt kryeqytetit serb Beograd për ndeshjet e mbetura me Partizanin, duke lënë të kuptohet se do të përballen me dhunë nga tifozët serbë pas përleshjes që ndodhi në Madrid të enjten.
Ndeshja e Euroligës në basketboll mes Real Madridit dhe Partizanit të Beogradit u anulua më pak se dy minuta pasi basketbollistët e të të dy skuadrave u përfshinë në një rrahje të madhe mes vete.
Madridi po humbte 95:80 në shtëpi – dhe po shkonte drejt rezultat 0:2 me ndeshje në serinë e playoff-it – kur një ndërhyrje e ashpër nga basketbollisti i Madridit Sergio Llull ndaj amerikanit Kevin Punter i zemëroi lojtarët e Partizanit dhe çoi në përjashtimin e të dy bankave.
Zyrtarët i shikuan xhirimet e përsëritura për disa minuta para se të vendosnin për ta anuluar tërësisht ndeshjen kur kishin mbetur edhe 1:40 lojë, për shkak se asnjëri ekip nuk e kishte numrin e nevojshme prej dy lojtarëve të paktën për ta vazhduar ndeshjen.
Ndeshja u cilësua si e përfunduar me Partizanin si fitues.
Basketbollisti amerikan i Pınar Karşıyaka, Errick McCollum, shkroi në Twitter: “Uau. E di se kur ata të shkojnë në Serbi për ndeshjet 3&4, lojtarët e Real Madridit më mirë mos të largohen nga hoteli”.

“Njeri, në asnjë mënyrë ata nuk duan të shkojnë atje tani”, iu përgjigj Will Clyburn i i Anadolu Efes.

Ndërkohë, Dylan Ennis i Galatasaray Nef, shkoi edhe më larg dhe i këshilloi lojtarët e Real Madridit të shkojnë në Beograd me roje kombëtare duke sugjeruar se i pret dhuna e tifozëve serbë atje.
“Lutem që Real Madridi të futet në Serbi me gardë kombëtare. Të futesh në arenën e Partizanit për ndeshjet 3 dhe 4 me ata tifozë pas gjithë kësaj... lutem për të gjithë ju”, shkroi ai.

Ndërkohë Euroliga e ka dënuar dhunën që ndodhi në Madrid.
“Euroliga i dënon fuqishëm ngjarjet që ndodhën në fund të ndeshjes. Ngjarjet e tilla nuk i përfaqësojnë vlerat e nderit që liga dhe klubet e saj i promovojnë dhe të cilat sporti i basketbollit i përqafon”, tha liga e basketbollit evropian në një komunikatë.
Liga tha se komiteti i vet i pavarur disiplinor do ta marrë një vendim për incidentet jashtë parketit në përputhje me procedurat në fuqi brenda 24 orëve.
Në mesin e ish-lojtarëve të NBA-së që u përfshinë në këtë përleshje ishin edhe Dante Exum i Partizanit dhe Guerschon Yabusele dhe Džanan Musa të Madridit.
Exum, i cili luajti për shtatë sezone për Utah Jazz dhe Cleveland Cavaliers dhe i ndihmoi Australisë ta fitojë medajen e bronztë në Lojërat Olimpike 2020, e këputi tendonin në gishtin e madh pasi Yabusele e hodhi në parket sikur të ishte një xhudist.
Ai u pa më vonë duke u larguar nga palestra me paterica.
“Mënyra se si Yabusele e hodhi atë me një lëvizje sikur në xhudo, është për burg, për pezullim të përjetshëm nga basketbolli. Exum ka mundur ta thyente shtyllën kurrizore për shkak të mënyrës sesi Yabusele e hodhi atë, apo ta lëndonte seriozisht kokën dhe karriera e tij të merrte fund”, tha mjeku i Partizanit Moma Jakovlejvic.
“Kjo ishte e tmerrshme, nuk kam parë kurrë në jetë diçka të tillë”.
Ndeshje e tretë e serisë me pesë ndeshje do të zhvillohet të enjten në kryeqytetin serb Beograd.
Trajneri i Partizanit, Zeljko Obradovic, tha se gjithçka ndodhi për shkak se lojtarët nuk arritën t’i kontrollonin emocionet e veta dhe se pas ndeshjet ata u përshëndetën njëri me tjetrin dhe gjithçka mbaroi ty mes tyre.
Partizani e kishte fituar lojën e parë në Madrid 89:87.
