Kapiteni i Arsenalit reagon pas ndërhyrjes së tmerrshme nga ylli i Manchester Cityt
Kapiteni i Arsenalit, Martin Odegaard, ka reaguar pas ndërhyrjes së tmerrshme nga ylli i Manchester Cityt, Rodri, gjatë ndeshjes me kombëtaret e tyre përkatëse e vlefshme për kualifikimet për Euro 2024.
Kapiteni i Topçinjve është aktualisht në grumbullim me Norvegjisë, për ndeshjet kualifikuese për Evropian dhe ndeshjen e parë e zhvilluan kundër Spanjës të shtunën. Furia e Kuqe doli fitues 3:0 në këtë përballje, por Norvegjia beson se duhet të ishte dhënë një penallti përpara golit të parë të shënuar nga Dani Olmo, pasi Odegaard ishte ndaluar brenda zonës nga një ndërhyrje e pamatur nga Rodri, që për pak minuta ia futi frikën tifozëve të skuadrës londineze për një lëndim të mundshëm.
Odegaard për TV2 tha: “Jam shumë i sigurt se duhej të akordohej një penallti. Ai erdhi me këmbët e tij direkt e në kyçin tim. Por jam i sigurt se do të ndëshkohem [nëse them më shumë]. Nuk do të shqetësohem të them asgjë tjetër për gjyqtarin. Është më mirë të mos thuash asgjë.”

Trajneri i Norvegjisë, Stale Solbakken, ishte i përgatitur të thoshte më shumë, duke u treguar gazetarëve për një incident që mund të kishte ndryshuar rrjedhën e lojës: “Është një penallti e qartë! Ai e përfundon goditjen dhe ju nuk mund ta [faulloni]. Nëse e rrëzoj dikë pasi topi është zhdukur, atëherë është penallti. Unë mërzitem pak nga kjo. Ajo që shoh këtu tani [në rishikim] është pikërisht ajo që pashë nga bankina. Kishte pak arrogancë. Kështu është, por është e pabesueshme.”

Norvegjia do të rikthehet në aksion kundër Gjeorgjisë të martën, me Odegaard që shpreson ta kalojë atë ndeshje i padëmtuar përpara se të kthehet në Emirates Stadium për takimin në shtëpi të Arsenalit me Leeds më 1 prill.
