Kampioni i Kosovës Ballkani e pret sot në tempullin ‘Fadil Vokrri’ kampionin e Irlandës Veriore Larne FC - NACIONALE

Kampioni i Kosovës Ballkani e pret sot në tempullin ‘Fadil Vokrri’ kampionin e Irlandës Veriore Larne FC

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kampioni i dyfishtë i Kosovës Ballkani sot fillon aventurën në kualifikimet për Ligë të Konferencës, ku në raundin e dytë do të ketë punë me kampionin e Irlandës Veriore, Larne FC.

Pasi dështuan të kalonin raundin e parë të kualifikimeve të Ligës së Kampionëve me humbjen ndaj Ludogorets, ‘Xhebrailat’ sot e fillojnë nga raundi i dytë në garën e tretë evropiane për nga rëndësia.

Fatin e njëjtë si të skuadrës kosovare e pati edhe Larne, e cila u mposht nga Helsinki në kualifikimet për Ligë të Kampionëve me rezultat të përgjithshëm 3:2.

Ndeshja e parë mes Ballkanit dhe Larnes do të zhvillohet sot në tempullin Fadil Vokrri, me ndeshjen e kthimit që luhet menjëherë pas një javë, e rëndësishme për të kaluar në raundin e tretë.

‘Xhebrailat’ konsiderohen favoritë në letër në këtë ndeshje dhe jo vetëm, pasi janë cilësuar si skuadër që duhet të kalojë me patjetër në raundin e tretë, ku fituesi përballet me Lincoln Red Imps, sërish ndeshje jo shumë e vështirë në rast të kualifikimit të skuadrës kosovare më tutje.

Ballkani shkroi historinë sezonin e kaluar duke u kualifikuar në grupet e Ligës së Konferencës, qysh në daljen e parë evropiane, ndërsa këtë sezon kjo rrugë po shihet si më e lehtë, pas përvojës së krijuar dhe kundërshtarëve që janë më të lehtë këtë vit në këtë garë.

Ndeshja do të zhvillohet me fillim nga ora 20:45 në Fadil Vokrri, ndërsa ajo e kthimit një javë më vonë, saktësisht më 3 gusht me fillim nga 20:30.

Lajme të ngjashme