Ilir Daja: Nuk ka ndeshje të lehtë, duam rezultat pozitiv
Trajneri Ilir Daja thotë se Ballkani nuk do ta ketë aspak të lehtë ndaj Larnes, por që kërkohet rezultati pozitiv.
Pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, “Xhebrailat” do të përballen me Larnen në kuadër të rrethit të dytë kualifikues për Ligën e Konferencës.
Në konferencë për shtyp, Daja deklaroi se nuk do të jetë aspak ndeshje e lehtë por beson se me ndihmën e publikut do të arrijnë rezultat pozitiv.
“Besoj se në këso rastesh nuk ka ndeshje të lehta dhe të vështira, sepse duhet të jesh në të gjitha komponentat në formën më të mirë. Duhet në këto dy ndeshje të mos gabosh. Nesër na pret një përballje e vështirë, besoj që përpara publikut do të mundohemi të bëjmë lojën tonë dhe të rikthehemi në rezultat pozitive”.
Ai komentoi shkurtimisht edhe eliminimin nga gjiganti bullgar ku shtoi se disa lojtarë ishin të sëmurë dhe jo në gjendjen më të mirë.
“Për nga ana psikologjike mbetet nesër për t’u parë. Jemi eliminuar me një fitore një praktikë dhe një humbje, pra me golaverazh përballë një kundërshtari shumë të fortë, jo për t’u justifikuar. Në ndeshjen e dytë ndodhi që disa lojtarë të ishin më të sëmurë dhe nuk ishin plotësisht në formën më të mirë, prandaj ata edhe sakrifikuan. Nëse analizojmë situatën me qetësi besoj që nuk do të ndikoj nesër”.
I pyetur për Larne, Daja nënvizoi se e kanë analizuar kundërshtarin që disa ditë, të cilët janë tejet të fortë fizikisht por Ballkani do të luajë lojën e vetë.
“Që katër ditë jemi marrë vetëm me kundërshtarin. Kanë fuqi fizike, kuptohet jo në nivelin e Premierligës, por luajnë me topa të gjatë. Kemi parë pikat e forta dhe jo të forta të kundërshtarit, do t’i përgjigjemi me mënyrën tonë të lojës për t’iu dhënë sa më pak mundësi ta zhvillojnë lojën e tyre. Besoj se kemi të gjitha mundësitë, por janë të vështira në mënyrën dhe stilin e tyre të lojës”.
Përballja mes Ballkanit dhe Larnes zhvillohet të martën në “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 20:45.