Kampionati kosovar vazhdon ngritjen në renditjen e UEFA-s falë sukseseve të Ballkanit, Shqipëria shënon sërish ngecje - NACIONALE

Kampionati kosovar vazhdon ngritjen në renditjen e UEFA-s falë sukseseve të Ballkanit, Shqipëria shënon sërish ngecje

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Programi “UEFA Calculator” ka publikuar përditësimet e fundit në lidhje me koeficientet e ligave evropiane, ku vihet re ngritja e vazhdueshme e Superligës së Kosovës falë sukseseve të Ballkanit, por edhe ngecja e kampionatit në Shqipëri.

Sukseset e Ballkanit i kanë sjellë benefit edhe Kosovës në kontekst të kampionatit të saj. Një fitore dhe një barazim, katër pikë të arkëtuara në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, kanë dërguar Kosovën në një renditje të volitshme të UEFA-s, si asnjëherë më parë.

Bazuar në koeficientët e përditësuar nga UEFA, tanimë Superliga e Kosovës renditet në vendin e 33-të me koeficient 2,875.

Rritja e kampionatit kosovar është evidente. Para tre sezoneve ky koeficient ishte në 1,500. Tregues i mjaftueshëm për avancimin dinjitoz që është bërë, ku shtysën vendimtare e ka dhënë kualifikimi i Ballkanit në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

Tani Kosova sheh vetën që ka prosperuar për një pozitë në renditjen e koeficientit të UEFA-s. Sidoqoftë, në tërësi klubet kosovare kanë bërë paraqitje dinjitoze në arenë ndërkombëtare përgjatë fazën kualifikuese për kompeticionet e ndryshme, nga Liga e Kampionëve e deri te Liga e Konferencës.

Këto kanë ndihmuar shumë që Kosova ta konsolidojë pozicionin e saj deri në këtë pikë, që nuk është pak. Suksese këto që kanë ardhur në formë lineare dhe ia kanë mundësuar ekipeve vendore që të garojnë me katër ekipe në garat kualifikuese, ndryshe nga dy që lejohej në fillim, respektivisht nga anëtarësimi në FIFA dhe UEFA para gjashtë vitesh.

Ngecja e kampionatit në Shqipëri

Një lajm jo i mirë vjen për Shqipërinë kur flasim për kampionatin e saj. Nga pozita e 48-të ka rënë në pozitën e 49-të.

Në dy përditësimet e fundit që “UEFA Calculator” ua ka bërë kampionate evropiane, Shqipëria në formë graduale ka shënuar rënie.

Faktor kyç llogaritet të jetë një përfaqësim tejet i dobët që kanë bërë klubet shqiptare në rrethet kualifikuese evropiane gjatë verës që lëmë pas, ku të gjitha u eliminuan nëse jo në fazën e parë të tyre, në atë të dytën po.

Zhgënjimin më të madh e prodhoi Tirana, e cila përkundër investimeve të mëdha, nuk arriti që ta kalonte qoftë edhe një rreth të vetëm kualifikues, duke u eliminuar që në ndeshje të para si në Ligën e Kampionëve, ashtu edhe në Ligën e Konferencës.

Edhe vetë presidenti i FSHF-së, Armando Duka, ka shprehur zemërimin e tij muaj më parë, duke tërhjekur një paralele me Kosovën, ku ai thoshte se i vjen keq kur sheh një diskrepancë të madhe mes të dy vendeve në periudhën aktuale.

Shqipëria ishte në mesin e kampionateve ballkanike më me zë deri në edicionin 2016/2017, para se të dënohej me dhjetë vite mospjesëmarrje në gara evropiane skuadra e Skënderbeut, e cila u dënua për shkak të dyshimit se kishte trukuar ndeshje të ndryshme në një hark relativisht të gjatë kohor.

Rënia për kampionatin shqiptar në kontekst të koeficientit në UEFA kishte zanafillën aty. Pastaj, skuadrat si Partizani dhe Kukësi, apo të tjerat si Laçi, Teuta dhe Tirana, nuk ia dolën që t’i sillnin vendit sukseset e duhura për ta lartësuar kampionatin respektiv në majat e dëshiruara.

Lajme të ngjashme