Nuk mjafton paraqitja e mrekullueshme e Frashërit, Ballkani e mbyll aventurën evropiane me humbje ndaj Cluj
Kampioni i Kosovës, FC Ballkani i ka mbyllur garat evropiane me humbje në udhëtim te skuadra rumune, CFR Cluj.
Ndeshja e zhvilluar ishte tejet e baraspeshuar me dy skuadrat që kishin raste, ku epilogu përfundimtar rezultoi të jetë 1:0 në të mirë të rumunëve.
Cluj nisi të rrezikojë qysh nga fillimi duke pasur disa raste shumë të mirë, por që portieri Stivi Frashëri ishte i jashtëzakonshëm.
Nga një harkim nga këndi, Arbër Potoku bëri një gabim ku në përpjekje për ta larguar topin, "asistoi" për Nana Boateng, i cili e kishte të lehtë të shënonte nga afërsia (17').
Tutje, Cluj vazhdoi me dominimin dhe kishte rastin ta dyfishonte epërsinë, por që Frashëri nuk lejoi një gjë të tille.
Zhvillohej minuta e 32-të, ku mesfushori i talentuar Lindon Emërllahu bëri një ndërhyrje brenda zonës me arbitrin që akordoi 11-metërsh. Nga pika e bardhë, Frashëri fillimisht ndali gjuajtjen e Ciprian Deac, por pastaj u përsërit shkaku që "gardiani" shqiptar kishte kaluar vijën.
Mirëpo, edhe në goditjen e dytë, Frashëri e lexoi për mrekulli duke bërë një tjetër pritje të shkëlqyeshme (35').
Pjesa e dytë ishte shumë më e baraspeshuar, me Cluj që mbrohej me pjesën më të madhe të lojtarëve, derisa kërkonte golin nga kundërzbritjet.
Kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuc rrezikoi portën vendase me një goditje nga distanca, mirëpo Scuffet arriti ta ndalë.
Një mungesë e madhe te Ballkani padyshim ishte anësori Ermal Krasniqi, që u lëndua në sfidën e fundit ndaj Slavia Prahës.
Kështu, Ballkani në grupin G të Ligës së Konferencës e mbyll si pozitë e katërt me katër pikë brenda gjashtë xhirove, derisa Cluj avancon tutje si pozitë e dytë me 10 sosh.
Kujtojmë, se djelmoshat e Ilir Dajës bënë historinë duke u bërë skuadra e parë kosovare që arrin kaq larg.