Kahn: Kemi arritur marrëveshje verbale me Barcelonën për shitjen e Lewandowskit - NACIONALE

Kahn: Kemi arritur marrëveshje verbale me Barcelonën për shitjen e Lewandowskit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Njëri prej drejtuesve të Bayern, Oliver Kahn, në mënyrë të qartë e ka pranuar faktin se klubi bavarez ka arritur marrëveshje verbale me Barcelonën për Lewandowskin.

Tre muaj plot enigma. Tani siç duket gjithçka është fare pranë që të marrë epilog. Odiseada e Lewandowskit është pranë përfundimit. Ylli polak është një hap larg Barcelonës.Gjatë orëve të vona të mbrëmjes së djeshme, një mori gazetarësh, duke filluar nga Di Marzio, raportuan pas mesnate që Bayern dhe Barcelona kishin arritur marrëveshje për Lewandowskin.

Ndërsa, sot, sulmuesi 33-vjeç u pa teksa i përshëndeste bashkëlojtarët e tij te Bayern, pasi kjo projektohet të jetë edhe dita e fundit kur ai stërvitet nën urdhrat e stafit teknik bavarez.

Konfirmohet marrëveshja verbale

I kontaktuar nga e përditshmja gjermane "Bild", Kahn pa hezitim u prononcua rreth çështjes së Lewandowskit, duke pranuar se kanë arritur marrëveshje verbale me Barcelonën.

"Kemi një marrëveshje verbale me Barcelonën për shitjen e Lewandowskit. Mungon vetëm përgatitja e kontratës. Klubi blaugran na ka bërë një ofertë absolutisht të arsyeshme dhe pastaj ne në sulm sapo kemi blerë një lojtar të nivelit botëror siç është Sadio Mane"
, theksoi Oliver Kahn.

Në bazë të informatava të siguruara nga Di Marzio, Lewandowski parashihet të udhëtojë të dielën (nesër) drejt Barcelonës për ta nënshkruar kontratën. Mandej, ai do t'i bashkangjitet pjesës tjetër të ekipit për të udhëtuar në Amerikë, aty ku Barcelona do ta zhvillojë një turne në kuadër të fazës përgatitore verore.

Ai do të nënshkruajë kontratë tri-vjeçare, me mundësi rinovimi edhe për një vit shtesë. Bayern nga kjo shitje e kartonit të tij do të përfitojë 45 milionë euro neto, si dhe 5 milionë euro tjera bonuse, të cilat lidhen me rendimentin që do ta ketë në skuadër, si dhe me statistika tjera, të cilat akoma nuk janë bërë të ditura.

Lajme të ngjashme