Jurgen Klopp: Fitorja 7:1 kundër Rangers e ndryshon humorin në klub para përballjes me Manchester City
Jurgen Klopp ka thënë se fitorja e thellë 7:1 kundër Rangers në Ligën e Kampionëve e ka ndryshuar humorin në Liverpool para përballjes me Manchester Cityn në Premierligë.
Mohamed Salah e shënoi het-trikun më të shpejtë në historinë e Ligës së Kampionëve, pasi Liverpooli i ndezi turbinat në pjesën e dytë për ta shkatërruar klubin skocez.
Pjesa e dytë e pamëshirshme e Liverpoolit, në të cilën të kuqtë i shënuan gjashtë gola, nënkupton se Rangers e pësoi disfatën më të rëndë në një ndeshje në stadiumin e vet.
Ky triumf erdhi në një kohë të duhur për djelmoshat e Kloppit, të cilët do të përballen me kampionin në fuqi City këtë të diele.
“Patjetër që e ndryshon humorin në klub”, tha Klopp.
“Është plotësisht ndryshe. Ne zakonisht pimë birrë pas ndeshjeve në udhëtim por ka kaluar aq kohë e gjatë që prej herës së fundit kur e kam pirë një birrë saqë ka mundësi të dehem tani pas një birre.”

“Po, e ndryshoj humorin plotësisht, por ne e dimë se kë do ta mirëpresim të dielën dhe ajo do të jetë një ndeshje tjetër, por më mirë të shkohet në atë ndeshje me këtë ndjesi që e kemi sonte se me ndonjë tjetër”, nënvizoi ai pas ndeshjes.
Nuk mund të mohohet se fillimi i sezonit për Liverpoolin ka qenë tejet i vështirë këtë edicion.
Shpresat e të kuqve për titull në Premierligë mund të jenë shuar tashmë, sepse ata ngelin 14 pikë larg liderit të tabelës Arsenal.

Në dy sezonet e kaluara, Liverpooli luftonte me Manchester Cityn për titull në Premierligë, por ky sezon duket të jetë ndryshe për të kuqtë.
“Unë gjithmonë jam për ndryshim në drejtimin e duhur. Do ta shohim. Nuk duhet ta bëjmë të madhe këtë punë, por ekipi më i mirë në botë tani na vjen të dielën në Anfield. Do ta shohim çfarë mund të bëjmë”, shtoi ai.
