Katër degët e rëndësishme të LDK-së i kërkojnë dorëheqje dhe zgjedhje, Abdixhiku nuk 'lëshon pe' - NACIONALE

Katër degët e rëndësishme të LDK-së i kërkojnë dorëheqje dhe zgjedhje, Abdixhiku nuk 'lëshon pe'

1 orë më parë

nga NACIONALE

Liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikut, po i shtohet presioni për zgjedhje të reja brenda partisë, pas rezultateve të dobëta të njëpasnjëshme, ndërsa së fundmi kësaj kërkese i është bashkuar edhe dega e LDK-së në Rahovec.

Katër degët e LDK-së, të cilat për nga pesha politike janë më të rëndësishmet, po kërkojnë dorëheqjen e Abdixhikut dhe zgjedhje të përgjithshme brenda këtij subjekti politik.

Fillimisht ishte Dega e LDK-së në Pejë që kërkoi reflektim politik dhe përgjegjësi nga lidershipi. Pas analizës së rezultatit zgjedhor, Kryesia e kësaj dege deklaroi se “me shumicë votash” ka kërkuar dorëheqjen e udhëheqjes.

Në këtë drejtim, është kërkuar dorëheqja si akt moral dhe politik, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja”, thuhej në reagimin e degës së Pejës.

Më pas, me një deklaratë të gjatë dhe të argumentuar politikisht, Dega e LDK-së në Lipjan kërkoi drejtpërdrejt dorëheqjen e Abdixhikut. Kryesia e kësaj dege vlerësoi se rezultati zgjedhor në nivel vendi nuk mund t’u atribuohet vetëm strukturave lokale.

Kryesia e Degës vlerëson se rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme në nivel vendi nuk mund t’u atribuohet vetëm strukturave lokale. Ai paraqet edhe një reflektim të gjendjes, organizimit, funksionimit dhe kapacitetit politik të partisë në nivel qendror”, thuhej në deklaratë.

Më pas, thirrjeve iu bashkua edhe Dega e Dytë e LDK-së në Prishtinë, e drejtuar nga Florian Dushi. Në deklaratën, kjo degë foli për rrezikun e margjinalizimit politik të partisë dhe për nevojën e ndryshimit të lidershipit.

“Në këto rrethana, Dega e Dytë e LDK-së në Prishtinë e falënderon kryetarin Lumir Abdixhiku për kontributin dhe angazhimin e tij të deritashëm dhe, njëkohësisht, kërkon që, me përgjegjësi dhe dinjitet politik, të japë dorëheqje dhe t’u hapë rrugë ndryshimeve tashmë të domosdoshme në LDK.”

E së fundmi, Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Rahovec ka kërkuar nisjen e procesit të zgjedhjeve të brendshme në të gjitha nivelet e partisë, nga nëndegët deri te kryetari i LDK-së, pas analizës së rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit 2026.

Sipas komunikatës, me unanimitet të anëtarëve të pranishëm, u vlerësua se partia duhet t’i nënshtrohet një procesi të përgjithshëm zgjedhor, duke marrë përgjegjësinë për rezultatin e arritur në zgjedhjet e fundit.

“Pritjet e Degës dhe aktivistëve ishin për një rezultat më të mirë të LDK-së. Duke pasur parasysh rezultatin zgjedhor të dobët në përgjithësi dhe në veçanti në Rahovec, Dega e LDK-së në Rahovec vlerëson si të domosdoshme mbajtjen e zgjedhjeve në të gjitha nivelet”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa ka pasur edhe deputet të zgjedhur që po i kërkojnë përgjegjësi dhe shkuarje në zgjedhje të përgjithshme të partisë.

Në profilin e saj në Facebook, Hykmete Bajrami, një nga zërat më të zëshëm dhe me kritik ndaj pushtetit ka shkruar se LDK ka nevojë për zgjedhje të reja.

“Zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja, të sillemi me dinjitet, sepse pozitat nuk janë të përhershme. E kam thënë edhe në janar se në LDK përgjegjësia politike nuk mund të jetë selektive dhe se pas një rezultati të rëndë zgjedhor, duhet të ketë reflektim, përgjegjësi dhe zgjedhje të brendshme. Atëherë kam kërkuar dorëheqjen e kryetarit dhe kam dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares, sepse besoja dhe vazhdoj të besoj se standardet duhet të vlejnë për të gjithë”, ka shkruara ajo.

Por, ndërsa kërkesat po shtoheshin, Abdixhiku zgjodhi të lëshojë akuza të rënda, pa e marrë në konsideratë dorëheqjen.

Në një reagim, ai i cilësoi kërkesat e degëve të Pejës dhe Lipjanit si të koordinuara dhe tha se ato do të duhej të ishin adresuar drejtpërdrejt brenda partisë.

“I falënderoj për sugjerimet dhe kërkesat e koordinuara të dy kryetarëve të degëve, të Pejës e Lipjanit, të dhëna përmes mediave për dorëheqjen time. Do të kishte qenë më korrekte që këtë ta bënin ballë për ballë.”

Lajme të ngjashme