Liverpool deklason Rangersin, Tottenham fiton me rezultat të ngushtë ndaj Eintracht - NACIONALE

Liverpool deklason Rangersin, Tottenham fiton me rezultat të ngushtë ndaj Eintracht

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Liverpool ka shënuar një fitore të thellë ndaj Rangers me rezultat 1:7. Në anën tjetër, sa i përket ekipeve angleze edhe Tottenham shënoi fitore, duke mposhtur 3:2 Eintrachtin.

Një fitore e thellë ajo e Liverpoolit në Glasgow, edhe pse ky rezultat nuk pasqyron tërësisht paraqitjen e skuadrës së Klopp, e cila në 45 minutat e para ishte vërtet e plogësht.

Me këtë fitore Liverpooli i afrohet ndjeshëm kualifikimit, pasi ka një kapital prej gjashtë pikëve më shumë sesa Ajaxi. Tani i nevojitet vetëm një pikë në dy sfidat tjera në mënyrë që të kualifikohet në 1/8 e finales.

Për Antonio Conten dhe Tottenhamin ishte një natë e rëndësishme, pasi më në fund rigjeti pikët e plota, duke rimarrë primatin në grup.

Raporti i ndeshjes Rangers 1:7 Liverpool

Fillimisht ishin vendësit që kaluan në epërsi me Arfield në minutën e 17-të për 1:0.

Goli i barazimit për Liverpoolit u shënua nga Firmino në minutën e 24-të, pas një këndore të ekzekutuar nga Tsimikas, ku sulmuesi brazilian shënoi me kokë.

Liverpool përmbysi rezultatin në minutën e 55-të me të njëjtin protagonist, Firmino. Ai gjeti golin pas një pasimi të mirë nga Gomez, duke shënuar për 1:2.

Goli i radhës për mysafirët erdhi në minutën e 66-të. Këtë herë ishte Nunez që finalizoi bukur, pas një paesimi maestral me thembër nga Firmino.

Salah hyri në lojë në minutën e 68-të dhe këtu filloi që ndeshja të merrte një dinamikë tjetër.

Mbreti egjiptian gjeti golin e parë në ndeshje, duke shënuar me mjaft zgjuarsi në minutën e 76-të.

Atij iu nevojitën shumë pak minuta, gjegjësisht pesë, që ta kompletonte het-trikun.

Ylli egjiptian shënoi në minutën e 80-të nga gjysmë distanca për 1:5.

Më pas, pa kaluar mirë një minutë ai shënoi edhe golin tjetër, duke kompletuar një het-trik fantastik për pesë minuta loja, me shifrat që shkuan në 1:6.

Me kaq nuk mjaftuan djelmoshat e Kloppit. Ishte Elliott ai që gjeti golin në minutën e 87-të. Fillimisht VAR-i mori disa sekonda kohë për të parë nëse ishte i rregullt aksionit dhe më pastaj e legjitimoi si të tillë.

Me rezultat 1:7 u mbyll edhe tërë ndeshja. Liverpool ka shkuar në kuotën e 9 pikëve në grupin A. Në këtë grup Napoli ka siguruar kualifikimin në 1/8 e finales gjatës së sotme pasi mposhti 4:2 Ajaxin. Rangers mbetet ekipi i vetëm pa pikë në grup.

Raporti i ndeshjes Tottenham 3:2 Eintracht

Ndeshje me mjaft gola ishte ajo mes Tottenham dhe Eintracht.

Serinë e golave e hapi Kamada në minutën e 14-të, duke shënuar për 0:1.

Kundërpërgjigja nga ekipi anglez erdhi në harkun kohor prej pesë minutave. Ishte koreano jugori Son ai që shënoi për t’i barazuar shifrat në 1:1.

Më pastaj, në minutën e 28-të Kane shënoi për ta përmbysur rezultatin në 2:1

Sërish ishte Son që u rikthye në skenë dhe shënoi në minutën e 36-të për 3:1.

Ekipi gjerman nga minuta e 60-të luajti me një lojtar më pak në fushë. Megjithatë, treguan shpirt luftarak dhe gjetën forcat që në minutën e 87-të ta ngushtonin disavantazhin, duke shënuar përmes Alidou për 3:2.

Me këtë rezultat u mbyll epilogu i ndeshjes. Në grupin D është Tottenham që kryeson në vendin e parë me 7 pikë. Marseille ndjek me 6 pikë në vendin e dytë, po aq sa ka edhe Sporting Lisbona në vendin e tretë. Ndërkaq Frankfurt zë vendin e fundit me 4 pikë.

Kësisoj, gjithçka do të mbetet e hapur deri në xhiron e fundit që do të luhet më 1 nëntor.

Lajme të ngjashme