Izraeli e Libani e nënshkruajnë kornizën e marrëveshjes në Uashington
Izraeli dhe Libani e nënshkruan kornizën e një marrëveshjeje të premten në Uashington pas disa ditëve në bisedime për ta siguruar përfundimin e luftimeve mes Izraelit dhe Hezbollahut të mbështetur nga Irani.
Ambasadorja libaneze, Nada Moawad, dhe homologu i saj izraelit, Yechiel Leiter, e nënshkruan dokumentin trepalësh me Shtetet e Bashkuara në Departamentin e Shtetit në Uashington, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Sot e kemi bërë hapin e parë në atë që do të jetë rrugëtim i vështirë, pa dyshim, por një hap të rëndësishëm, thelbësor e të nevojshëm” – tha para nënshkrimit të marrëveshjes sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio.
Konflikti mes Izraelit dhe Hezbollahut shpërtheu, kur grupi i armatosur hapi zjarr drejt Izraelit më 2 mars, pak ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli e sulmuan Iranin. Sulmet e Hezbollahut nxitën sulme ajrore e tokësore izraelite që kanë lënë të vrarë më shumë se 4.000 njerëz në Liban dhe e kanë shkaktuar shpërnguljen e mbi 1 milion të tjerëve.
Zyrtarët nuk ofruan hollësi të kornizës së marrëveshjes dhe nuk treguan se si do të dallojnë kushtet e saj nga ato që janë përfshirë në marrëveshjen e armëpushimit të 16 prillit.
Në anën izraelite janë vrarë të paktën 32 ushtarë e katër civilë. Hezbollahu nuk i publikon numrat e luftëtarëve të vrarë. Agjencia “Reuters” raportoi më 4 maj se disa mijëra luftëtarë të grupit ishin vrarë në luftë./Nacionale