Granit Xhaka lider i Zvicrës ndaj Anglisë, publikohen formacionet zyrtare
Pasi dje u mësuan dy gjysmëfinalistët e parë të Evropianit, sot është radha për dy takimet tjera që do ta përfundojnë raundin e çerekfinaleve, ku fillimisht përballen Anglia e Zvicra, ndërsa më vonë Holanda me Turqinë.
Zvicra bëri një rrugëtim shumë të mirë në këtë Evropian, duke përfunduar e dyta në grupin A, e më pastaj duke eliminuar kampionin në fuqi të Evropës, Italinë, për të arritur këtu.
Në anën tjetër, Anglia ishte e para në grupin e saj, por pavarësisht kësaj u kritikuan shumë për paraqitje jo të mira, e kështu vazhduan edhe në 1/8 e finales, ku fituan vetëm në vazhdime ndaj Sllovakisë, për të arritur në çerekfinale.
Ndonëse Zvicra hyn më në formë në këtë takim, sërish favoritët për të fituar janë Tre Luanët, kjo edhe për shkak të përbërjes së tyre dhe që cilësohen si favoriti për ta fituar Evropianin.
Përballja e sotme mes këtyre dy skuadrave, që do ta dhurojë një gjysmëfinalist, do të zhvillohet në Dusseldorf Arena me fillim nga ora 18:00 dhe tashmë janë publikuar formacionet zyrtare.
Ashtu siç edhe u raportua, Anglia do të luajë me tre mbrojtës, ndërsa ka ndërruar pozita e Jude Bellingham e Foden, që do të luajnë prapa Harry Kanes.
Anglia (3-4-2-1): Pickford; Walker, Stones, Konsa; Trippier, Mainoo, Rice, Saka; Bellingham, Foden; Kane.
Në anën tjetër, Murat Yakin këtë sistem që po përdor Anglia sot, e ka përdorur vazhdimisht dhe ka vendosur sërish t'i besojë, duke mos ndryshuar asgjë prej ndeshjes me Italinë.
Zvicra (3-4-2-1): Sommer; Rodriguez, Akanji, Schar; Aebischer, Xhaka, Freuler, Rieder; Vargas, Ndoye; Embolo.
Ka mbetur shumë pak deri në fillimin e përballjes dhe gjyqtar kryesor i takimit është italiani, Daniele Orsato, i ndihmuar nga Carbone dhe Giallatini. Gjyqtari i katërt është gjermani Siebert, ndërsa në VAR do të jetë italiani Irrati.
Kujtojmë se fituesi i këtij takimi, në gjysmëfinale takohet me fituesin nga çerekfinalja e fundit mes Holandës dhe Turqisë, ndeshje që zhvillohet me fillim nga ora 21:00.