Galtier: Njerëzit vijnë në stadium për ta parë Messin – është lojtari më i mirë i të gjitha kohërave
Trajneri i PSG, Christophe Galtier, ka komentuar fitoren e mbrëmshme të skuadrës së tij me rezultat 3:0 në udhëtim ndaj Ajaccio dhe veçanërisht paraqitjen e Lionel Messit.
Shënoi një herë dhe asistoi dy herë. Lionel Messi çdo gjë e bëri në formën më të përsosur dje në ndeshjen kundër Ajaccio, ku PSG fitoi lehtësisht.
Trajneri i ekipit, Galtier, u nda shumë i kënaqur me paraqitjen e të gjithë ekipit, ndërsa për atë individuale të yllit argjentinas nuk u shpreh i habitur, ngase për të një gjë e tillë nuk përbën lajm.
“Njerëzit vijnë në stadium për ta parë Messin, pasi është lojtari më i mirë i të gjitha kohërave. I pëlqen të luajë me të tjerët. Ka këtë veti që bashkëpunon me të tjerët. Është shumë jo egoist. Ishte mbresëlënës gjatë golit të dytë”, u shpreh ai.
Në tërësi trajneri 52-vjeçar e ka vlerësuar të ndërlikuar ndeshjen kundër Ajaccio, ndonëse u fitua me rezultat të pastër.
“Ndeshje si këto janë gjithmonë të ndërlikuara. Ajaccio bëri paraqitje të mirë kur na vendosi nën presion për 25 minuta. Kur presioni filloi të binte dhe ia dolëm që ta mbanim qarkullimin e topit – kemi krijuar disa raste interesante shënimi, sikur në rastin e golit të parë. Nga aspekti teknik lojtarët kanë bërë një paraqitje të mirë”, përfundoi ai.
Rikthimi i shkëlqimit
Përkundër se është në moshë 35-vjeçare dhe jo në periudhën rinore të dikurshme, Leo Messi në këtë sezon e ka rikthyer shkëlqimin e mëparshëm.
Më në fund me trajneri e ri po ia del ta shfaqë të gjithë potencialin e vet teknik. Sezonin e kaluar një gjë të tillë nuk arriti ta bënte nën drejtimin e bashkëkombësit të tij, Pochettino.
Kështu, shtatë herë fituesi i Topit të Artë deri më tani ka shënuar 9 gola në të gjitha kompeticionet. Ai pas 11 paraqitjeve të zhvilluara në kampionatin e sivjem ka barazuar numrin e golave që kishte shënuar në sezonin paraprak (6).
Deri më tani ai ka kontribuar edhe me 9 asiste tjerë në Ligue 1. Së bashku me Mbappe dhe Neymar janë shndërruar në trinomin e frikshëm sulmues, duke vënë në pah të gjithë kapacitetin teknik që zotërojnë.

Lionel Messi shpreson shumë që këtë formë ta ruajë edhe në Kupën e Botës. Para disa ditësh ai paralajmëroi se për të do të jetë Botërori i fundit ky i sivjetmi që do të zhvillohet në Katar gjatë periudhës nëntor-dhjetor.
Të gjitha çmimet dhe kupat e mundshme i ka fituar, në përjashtim të tij: Botërorit. Andaj, vëmendja e tij e tërësishme është e koncentruar atje, ku shpreson që ta udhëheqë Argjentinën drejt titullit të shumëdëshiruar.

