Zëvendës presidenti i Barcelonës: Rikthimi i Messit është i mundshëm
Rikthimi i Liones Messit te Barcelona po flitet çdoherë e më tepër. I fundit që u deklarua rreth kësaj teme ishte zëvendës presidenti i klubit, Eduard Romeu.
Barcelona ka filluar ta marrë veten qoftë financiarisht, ashtu edhe sa u përket rezultateve që po regjistron në këtë fillim sezoni në krye me Xavi Hernandez si trajner.
Rezultatet mund të jenë rikthyer në nivel të dëshiruar, por tifozët sërish ndjejnë mungesën e Lionel Messit, yllit argjentinas që ka shënuar epokë me klubin katalonas.
Ka qenë zëvendës presidenti i Barcelonës, Eduard Romeu, ai që u ka dhënë shpresë tifozëve të klubit që ndoshta një ditë mund ta shohin sërish Messin me fanellën e klubit “blaugrana”.
Si qëndrojnë gjasat e Lionel Messit për t’u rikthyer te Barcelona?
Në një prononcim dhënë “El Mati de Catalunya Radio”, Eduard Romeu nuk i ka mbyllur dyert për një rikthim të Lionel Messit.
“Një rikthim i Messit? Do të ishte i mundur, sepse nëse do të rikthehej, këtë do ta bënte si lojtar i lirë. Kështu që, sigurisht që do të ishte e mundur. Në të kundërtën do të kishim buxhet për ta rikthyer në formë tjetër. Gjithsesi, është një vendim teknik dhe që i përket vetë lojtarit”, tregoi ai.
Ndër të tjera, ai potencoi faktin se po mundojnë që t’i riparojnë dëmet e shkaktuara më herët sa i përket gjendjes financiare të klubit.
“Na duhej ta gjenim një pikë ekuilibri, që ishte shumë i ndjeshëm, por duhej të ishim të guximshëm. Gjatë afatit kalimtar të janarit ka mundësi që të mund të operojmë, por këtë verë kemi bërë një sforcim mjaft të rëndësishëm dhe nëse do të jetë njëmend e nevojshme, do ta bëjmë sërish, por duhet ta studiojmë mënyrën se si”, potencoi ai.
Barcelona po kalon në një formë të mirë në kampionat, veçanërisht falë lidershipit dhe golave që po arrin t’i shënojë Robert Lewandowski, si afrimi më i bujshëm i skuadrës gjatë afatit kalimtar veror.
Në anën tjetër, edhe Lionel Messi është rikthyer të shkëlqejë. Ai ishte protagonist absolut për Argjentinën në fitoren e djeshme kundër Xhamajkës. Lionel Messi erdhi nga stoli për t’i shënuar dy gola të shkëlqyer dhe për t’i ndihmuar Argjentinës ta zgjasë në 35 ndeshje ecurinë pa humbje, pas fitores 3:0 që shënuan.
Sulmuesi i Paris Saint-Germainit i ka shënuar katër gola në dy ndeshje përgatitore të Argjentinës për Kupën e Botës këtë muaj.
Tifozët në tokën amerikane shpërthyen në duartrokitje në çastin kur Messi u çua në këmbë për t’u ngrohur dhe e tërë turma u ngrit dhe brohoriti kur ai u fut në lojë në vend të Lautaro Martinezit.

