Pamje: Leo Messi tenton t’i bëjë autograf në shpinë tifozit, vërshohet nga sigurimi
Lionel Messi gati sa nuk u hodh në tokë nga rojet e sigurimit derisa po përpiqej të vendoste autografin e vet në shpinën e zhveshur të një tifozi që e kishte pushtuar fushën.
Derisa Messi po kthehej në mesin e fushës, një tifoz i iku sigurimit dhe u fut në fushë duke vrapuar drejt yllit argjentinas, të cilit ia kërkoi autografin duke ia kthyer shpinën e zhveshur.
Messi nuk ngurroi të nënshkruante në shpinën e tij, por derisa ai nisi ta bënte këtë, rojet e sigurimit e vërshuan atë në përpjekje për ta kapur pushtuesin e fushës.
Agresiviteti i tyre për pak sa nuk e hodhi Messin në tokë, siç tregojnë pamjet më poshtë.
los de Seguridad casi lastiman a Messi 😡😡😡 pic.twitter.com/Ovxgs4Rlyu
— Argentina Gol (@BocaJrsGolArg) September 28, 2022
Messi shkëlqen në fitoren 3:0 kundër Xhamajkës
Lionel Messi erdhi nga stoli për t’i shënuar dy gola të shkëlqyer dhe për t’i ndihmuar Argjentinës ta zgjasë në 35 ndeshje ecurinë pa humbje, pas fitores 3:0 kundër Xhamajkës të martën mbrëma në Shtetet e Bashkuara.
Argjentina i ka 25 fitore dhe 10 barazime që prej disfatës kundër Brazilit në Kupën e Amerikës më 2 korrik 2019.
Julian Alvarezi e kaloi Argjentinën në epërsi në minutën e 13-të, para se Messi të futej në lojë nga banka në minutën e 55-të për të shënuar dy herë.
Ky ishte goli i 90-të i Messit në 164 ndeshje për Argjentinën.

Shtatë herë fituesi i Topit të Artë, i cili para tre muajve e festoi ditëlindjen e 35-të, shënoi gol të bukur nga rreth 25 metra largësi në minutën e 86-të, pas një bashkëveprimi me Giovani Lo Celso.
Tre minuta më vonë, Messi e shënoi golin e dytë nga gjuajtja e lirë duke e mposhtur portierin mu në krahun ku po qëndronte.
Sulmuesi i Paris Saint-Germainit i ka shënuar katër gola në dy ndeshje përgatitore të Argjentinës për Kupën e Botës këtë muaj.
Argjentina e ka vetëm edhe një ndeshje miqësore par Kupës së Botës 2022, kundër Emirateve të Bashkuara Arabe më 16 nëntor.
Ajo do ta hapë fushatën në Botërorin e Katarit me një ndeshje kundër Arabisë Saudite, dhe pastaj do të luajë kundër Meksikës dhe Polonisë në Grupin C.
