Messi e Mbappe të jashtëzakonshëm në fitoren e PSG-së ndaj Ajaccios - NACIONALE

Messi e Mbappe të jashtëzakonshëm në fitoren e PSG-së ndaj Ajaccios

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Paris Saint-Germain, ka shënuar fitoren e radhës në Ligue 1, ku ka mposhtur Ajaccion me rezultat 3:0, fal paraqitjes të jashtëzakonshme të Kylian Mbappes e Lionel Messit.

Në këtë ndeshje mungoi ylli brazilian, Neymar, pasi deri më tash kishte grumbulluar pesë karton të verdhë dhe për shkaqe disiplinore nuk ishte në skuadrën e Christophe Galtier.

Image

Kjo mungesë nuk la aspak hapësira te kampioni i Francës, që me bashkëveprime të yjeve tjera arritën deri te fitorja e 10 në këtë sezon krahas edhe dy barazimeve dhe mbetet skuadra e vetme ende pa humbje në elitën e futbollit francez.

Image

Në pjesën e parë u shënua vetëm një gol.

Ishte minuta e 24-të, ku Messi dhuroi një asistim të jashtëzakonshëm në hapësirë të ngushtë për Mbappen, i cili e përfundoi aksionin me gol edhe më bukur për 1:0.

Në pjesën e mbetur të kësaj pjese nuk pati gola, ndërsa 45 minutat e dyta dhuruan edhe dy gola tjerë.

Fillimisht për dyfishimin e rezultatit u përkujdes argjentinasi në minutën e 79-të, ku asistue kësaj radhe ishte Mbappe.

Messi mori topin fillimisht ku e dërgoi te francezi, ky i fundit edhe më bukur me një pasim me thembër e futi topin në zonën e rrezikshme e fituesi i shtatë herë i Topit të Artë e përfundoi me gol lehtësisht.

Edhe goli i tretë i takimit dhe përfundimtar ishte në bashkëveprim të dyshes fantastike.

Messi sërish ishte në rolin e asistuesit e Mbappe e shënoi golin e tij të dytë personal dhe të tretin për Paris Saint-Germain.

Kampioni në fuqi tani është gjashtë pikë përpara skuadrës së vendit të dytë, Lorient, e cila ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Teksa dyshja që ishte më meritore për këtë fitore vetëm rritën numrat e tyre në statistikat e jashtëzakonshme në këtë fillim sezon.

Mbappe në 11 ndeshje ka shënuar 10 gola dhe ka asistuar në dy raste, ndërkaq Messi krahas nëntë asistimeve ka edhe gjashtë gola të shënuar në po aq ndeshje sa francezi.

Lajme të ngjashme