ShBA-ja e dënon me burg përjetë shefin famëkeq të drogës, Ismael “El Mayo” Zambada
Njëra nga figurat më famëkëqija të karteleve të drogës në Meksikë, Ismael “El Mayo” Zambada, u dënua nga një gjykatës amerikan me burgim të përjetshëm, dy vjet pasi ishte joshur për të shkuar në ShBA përmes një operacioni të fshehtë e të planifikuar në hollësi.
76-vjeçari, i cili bashkë me Joaquin “El Chapo” Guzman-in e kishte themeluar kartelin e dhunshëm “Sinaloa”, gjithashtu u dënua me 15 milionë dollarë gjobë, raporton televizioni BBC.
Më 2024, i biri i El Chapos e kishte bërë Zambadan të besonte se ata po udhëtonin drejt pjesës veriore të Meksikës për t’i inspektuar aeroportet e improvizuara klandestine, kur aeroplani i tyre në të vërtetë aterroi në Teksas dhe ai u arrestua.
Vitin e kaluar, Zambada arriti një marrëveshje për pranimin e fajësisë dhe i pranoi akuzat për trafikim droge e konspiracion në këmbim të shmangies së dënimit me vdekje.
Të hënën, gjykatësi i qarkut, Brian Cogan, e dënoi Zambadan gjatë seancës së mbajtur në gjykatën federale në Brooklyn.
Gjoba prej 15 milionë dollarësh i përfaqëson fitimet nga trafikimi i drogës nga roli i tij si udhëheqës i një ndërmarrjeje kriminale, sipas Departamentit të Drejtësisë.
Edhe i biri i El Chapos, Joaquin Guzman Lopez, ishte arrestuar në korrikun e vitit 2024 dhe e ka pranuar fajësinë në lidhje me akuzat që i ngarkohen. Dënimi ndaj tij nuk është shqiptuar ende.
Në marrëveshjen për pranimin e fajësisë, Zambada zyrtarisht e pranoi rolin e tij në themelimin e rrjetit të madh kriminal që ka dërguar sasi të madhe të kokainës dhe drogave të tjera në ShBA që nga themelimi i kartelit “Sinaloa” në fundin e viteve të tetëdhjeta./Nacionale