Katërnjake të rralla identike linden në Australi
Një grua australiane ka lindur katërnjake të rralla identike pas një shtatzënie të përshkruar si me “rrezik tepër të lartë” nga Spitali Mbretëror i Grave në Brisbane.
Katër vajzat, të cilat u lindën përmes prerjes cezariane në javën e 29-të më 14 korrik, janë katërnjake monozigote, ku një qelizë vezë e vetme ndahet në katër embrione, raporton televizioni BBC.
Spitali tha se nëna e vajzave, 34-vjeçarja Jenitar Na’amoana, dhe bashkëshorti i saj, Northam, tashmë kishin katër fëmijë të tjerë dhe u befasuan fort, kur u njoftuan se po prisnin katërnjakë.
Dr. Alexa Bendall, e cila u përkujdes për nënën që nga fillimi i shtatzënisë së saj, tha se katërnjakët identikë lindin në “një në 15 milionë shtatzëni”, por “të ndahet placenta e njëjtë, kjo është e padëgjuar”.
Bendall tha se një shtatzëni e tillë bart rrezik shumë të lartë. Spitali e pranoi shtatzënën në javën e 25-të të shtatzënisë në mënyrë që gjendja e saj të përcillej.
“Gjithmonë thoshim se nëse e çojmë deri në javën e 28-të, do të ishim duke ia dalë mirë. Prandaj, fakti që na erdhën katër foshnja të shëndosha e të bukura, të lindura në javën e 28-të e katër ditë, është i pabesueshëm dhe ne jemi shumë të gëzuar që jemi pjesë e kësaj” – shtoi ajo.
Katërnjakeve u janë lënë emrat Emily, Harriet, Catherine dhe Alexa, kjo e fundit për nder të mjekes që është përkujdesur për nënën e tyre.
Foshnjat do të mbahen në repartin e kujdesit intensiv neonatal derisa të rriten në peshë normale, por “tani për tani po ia dalin shumë mirë”, shtoi mjekja Bendall./Nacionale