Trumpi thotë se Netanyahu nuk do të arrestohet në ShBA “në asnjë mënyrë apo formë” - NACIONALE

Trumpi thotë se Netanyahu nuk do të arrestohet në ShBA “në asnjë mënyrë apo formë”

12 orë më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të hënën se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk do të arrestohet, kur ai ta vizitojë ShBA-në, pasi kryetari i Nju-Jorkut, Zohran Mamdani, tha se ishte duke shqyrtuar një veprim të tillë.

“Benjamin Netanyahu nuk do të arrestohet, në asnjë mënyrë apo formë, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës” – shkroi Trumpi në rrjete sociale, pa iu referuar komenteve të Mamdanit.

Trumpi nuk e përmendi kryetarin e Nju-Jorkut në postimin e tij në rrjetin “Truth Social”, por i dha merita Izraelit për ndihmën e ofruar në luftën kundër Iranit, raporton gazeta "The Guardian".

Në fundjavë, Mamdani tha se ishte duke e shqyrtuar mundësinë nëse administrata e tij do të mund ta arrestonte Netanyahun, nëse, siç pritet, kryeministri izraelit e viziton qytetin e famshëm në shtator për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Unë besoj se kryeministri Netanyahu përket në Hagë” – i tha Mamdani të shtunën gazetës “The Neë York Times”, duke iu referuar qytetit holandez ku ndodhet Gjykata Penale Ndërkombëtare, e cila në nëntorin e vitit 2024 lëshoi urdhërarrest për Netanyahun për shkak të dyshimeve për krime lufte në Gaza.

“Ai është kriminel lufte që është akuzuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe ajo që do të shihni është se ky është mendim që e kanë shumë njerëz, thjesht për shkak të asaj që e kanë sjellë veprimet e tij gjatë këtyre viteve të shumta të fundit” – tha Mamdani.

Ai shtoi se nuk e ka të qartë nëse e ka autoritetin ligjor për ta urdhëruar policinë e Nju-Jorkut që të ndalojë një udhëheqës të huaj si Netanyahu, por shtoi se ishte në “bisedë aktive” me departamentin ligjor të qytetit për këtë çështje.

“Çfarëdo që më lejon ligji të bëj në qytetin e Nju-Jorkut, atë do ta bëjmë, por nuk do t’i shkruajmë ligjet tona për ta arritur atë qëllim” – shtoi kryetari i Nju-Jorkut./Nacionale

Lajme të ngjashme