Franca e ka radhën: Trajneri i Marokut thotë se po e përgatit një befasi tjetër të madhe - NACIONALE

Franca e ka radhën: Trajneri i Marokut thotë se po e përgatit një befasi tjetër të madhe

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Trajneri Walid Regragui ka thënë se Maroku është në mesin e katër ekipeve më të mira në botë, prandaj tani synon të shkruajë më shumë histori dhe të arrijë në finale duke e mposhtur Francën.

Të mërkurën Maroku do të bëhet vendi i parë afrikan që luan në gjysmëfinale të Kupës së Botës kur të përballet me Francën, kampionen në fuqi.

“Pse mos të shkojmë në finale të Kupës së Botës? Ne do të tregojmë dëshirën tonë të madhe dhe do të përpiqemi ta shkaktojmë edhe një tronditje tjetër”, tha Regragui.

Maroku i ka mposhtur tashmë Belgjikën, Spanjën dhe Portugalinë rrugës për në mesin e katër ekipeve më të mira kombëtare në Katar.

“Para çdo ndeshjeje, njerëzit mendonin se ne do të eliminoheshim, por ne jemi këtu ende”, theksoi Regragui, i cili e mori drejtimin e Marokut në muajin gusht.

“Ne jemi shumë afër përmbushjes së ëndrrave tona dhe do të luftojmë për ta bërë këtë”.

Ai shtoi: “Nëse themi se gjysmëfinalja mjafton, nuk pajtohem. Ne nuk jemi të kënaqur me gjysmëfinalen dhe që jemi ekipi i parë afrikan që arrijmë këtu. Duam të shkojmë më larg. Ju mund të mendoni se është çmenduri, por pakëz çmenduri është e mirë”.

Para këtij Botërori, paraqitja më e mirë e Marokut në një Kupë Bote ndodhi në vitin 1986, kur kishte shkuar deri në fazën e 16 skuadrave më të mira.

Në katër herët tjera që kishte arritur të marrë pjesë në Botëror, Maroku ishte eliminuar çdo herë në fazën e grupeve.

I pyetur nëse mund ta shkaktojë edhe një befasi tjetër të madhe, Regragui tha: “Ne i kemi mposhtur disa top ekipe. Është një ndeshje eliminimi dhe kur ke dëshirë, përkushtim dhe përkrahje nga tifozët, atëherë mund të fitosh”.

Lajme të ngjashme