Maroku e trondit edhe Portugalinë, duke u bërë vendi i parë afrikan në histori që arrin në gjysmëfinale të Kupë së Botës - NACIONALE

Maroku e trondit edhe Portugalinë, duke u bërë vendi i parë afrikan në histori që arrin në gjysmëfinale të Kupë së Botës

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Kombëtarja marokene është shndërruar në sensacion në Botërorin e Katarit, ku pas eliminimit të Spanjës, tani ka eliminuar edhe Portugalinë, një tjetër skuadër që pretendonte trofeun kryesor. Kësaj radhe Maroku ndeshjen e përfundoi brenda 90 minutave, duke i mposhtur portugezët me rezultat minimal 1:0 dhe bëhet skuadra e parë afrikane që arrin në gjysmëfinale të ndonjë Botërori.

Pasi u paraqit mrekullisht në fazën e grupeve, ato paraqitje i ka vazhduar edhen në fazën e eliminimit direkt, duke rrëmbyer zemrat e shumë fansave anembanë botës.

Image

Portugezët gjatë 90 minutave dominuan posedimin e topit, në raste deri në 75%, por munguan rastet në drejtim të portës.

Edhe në këtë ndeshje ylli, Cristiano Ronaldo, nuk e filloi ndeshjen, për t’u inkuadruar në pjesën e dytë, por as ky nuk arriti ta shtrijë ndikimin e tij.

Image

Ishte një gol i pjesës së parë nga En-Nesyri, i cili doli të ishte goli i epilogut final. Zhvillohej minuta e 42-të, kur në një top të lartë, portieri portugez nuk reagoi në mënyrën më të mirë dhe sulmuesi i Sevillës e dërgoi topin në rrjetë për 1:0.

Portugalia tentoi të kthehej në lojë me anë të Brunos që goditi shtyllën në fund të pjesës së parë, ndërsa i njëjti goditi edhe në pjesën e dytë por kësaj radhe shkoi fare pranë mbi portë.

Pjesa e dytë e lojës u zhvillua tërësisht në pjesën marokene, por në raste edhe ata me anë të kundërsulmeve u treguan të rrezikshëm.

Ronaldo krejt në fund në minutat shtesë të takimit tentoi me një goditje, por u ndalë suksesshëm nga portieri Bonou, i cili ishte një nga meritorët për Marokun në këtë sukses të madh të arritur.

Maroku tani është në katërshen e madhe të Botërorit së bashku me Kroacinë e Argjentinën, ndërsa pritet që vendi i fundit të plotësohet nga ndeshja e dytë sonte ndërmjet Francës e Anglisë.

Marokenët do të përballen në gjysmëfinale me fituesin e kësaj ndeshje, për një vend në finalen e madhe.

Përmbledhja e ndeshjes Portugali-Maroku:

Lajme të ngjashme