Eksperti gjerman: Xhaka për Zvicrën është i paprekshëm, nuk është faji i tij pse në grup ishte sërish Serbia
Eksperti dhe trajneri gjerman, Peter Zeidler, i ftuar si panelist në platformën televizive zvicerane “Blue Sport”, tha se Granit Xhaka është lojtar i paprekshëm për kombëtaren helvete.
Granit Xhaka ka qenë lideri i Kombëtares së Zvicrës në Kampionatin Botëror, duke pasur nderin ta mbajë edhe shiritin e kapitenit. Portugalia dje eliminoi Zvicrën në 1/8 falë një fitore të thellë 6:1.
Herë-herë në shtypin helvet Xhaka është kritikuar veçanërisht për rrethana josportive, sikur rasti i festimit të kualifikimit pas fitores ndaj Serbisë, ku veshi fanellën me emrin Jashari.

Edhe pse kishte shumë “pro et contra” në Zvicër, për ekspertin dhe trajnerin gjerman, Peter Zeidler, nuk mëdyshje se Xhaka personifikon shtyllën e ekipit kombëtar helvet dhe si i tillë është i paprekshëm.
“Nëse një lojtar i tillë ka një ndikim kaq të madh në skuadrën lidere (Arsenal) në Premierligë, atëherë do të thotë që është i paprekshëm. Xhaka është një futbollist i mrekullueshëm”, shtoi ai.

Në studion televizive të kanalit sportiv zviceran “Blue Sport”, Ziegler tha se mbase do të kishte qenë më mirë sikur Zvicra të mos ishte në grupin e njëjtë me Serbinë, por për këtë gjë nuk mund të fajësohet Xhaka.
“Nuk ishte faji i Xhakës që edhe një herë Serbia ishte në të njëjtin grup me atë të zviceranëve. Parë në retrospektivë, do të kishte qenë qartësisht më mirë nëse nuk do të kishin qenë në këtë grup”, nënvizoi ai.
Një Botëror mes kritikave dhe lëvdatave në Zvicër
Kujtojmë se Granit Xhaka nuk është se u lavdërua nga Televizioni Publik zviceran për atë çfarë dëshmoi në fushë në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Portugalisë.
“Në mesfushë gjithmonë mbizotëroheshim. Kapiteni bëri vërtet pak për t’ua vështirësuar ndopak punët kundërshtarëve”, thuhet në artikullin e mediumit në fjalë.
Ndonëse nuk shënoi ndonjë gol apo asist, Xhaka dha një kontribut shumë të madh në Kampionatin Botëror për kombëtaren e tij, duke u dalluar posaçërisht në fazën e grupeve me paraqitje të mira.

Mesfushori shqiptar i Arsenalit në ndeshjen jetike ndaj Serbisë u shpall futbollisti i ndeshjes, pasi ishte i kudondodhur dhe tregoi një supremaci të njëmend në fushë ndaj kundërshtarëve serbë.
Megjithatë, eksperti gjerman, Ziedler, mendon që për shkak të energjive të mëdha të shpenzuara në atë ndeshje, erdhi edhe deri te humbja turpëruese 6:1 ndaj Portugalisë.
“Futbollistëve nuk do t’u pëlqej kur të dëgjojnë, por po diskutohet shumë nëse kanë shpenzuar shumë energji në ndeshjen ndaj Serbisë. Dhe, jo fort në aspektin fizik, por në atë mendor”, tha ai.
“Nuk mund ta them me saktësi nëse aty ishte gjeneza e dështimit. Nuk ka vetëm një shpjegim të vetëm”, përfundoi trajneri gjerman.
Sfida e re Xhakës kalon edhe përmes Kosovës
Granit Xhakën e pret një mision i ri, ai i kualifikimit në Evropianin 2024. Ky kualifikim do të kalojë përmes Grupit I. Në këtë grup është edhe Kombëtarja e Kosovës. Ndeshjet do të luhen nga marsi deri në nëntor.
Për herë të parë prej që është futbollist profesionist, Granit Xhaka do të shkelë në “Fadil Vokrri” në cilësinë e kundërshtarit.

Më 9 shtator do të luhet ndeshja në stadiumin kryeqytetas të Kosovës ndaj kombëtares helvete dhe sigurisht se për Granit Xhakën do të jetë një emocion i veçantë.
Ndërkaq, ndeshja e kthimit do të jetë e parafundit, pasi do të luhet më 18 nëntor të vitit të ardhshëm. Granit Xhaka do të mundohet që ta udhëheqë Zvicrën drejt një tjetër ngjarje të madhe futbollistike siç është Evropiani 2024, i cili do të zhvillohet në Gjermani.

Për zviceranët deri tani ka bërë 111 paraqitje, ku ka shënuar edhe dymbëdhjetë (12) gola, ku me raste kanë rastisur të jenë edhe vendimtarë në arritjen e objektivave të caktuara.
Fokusi te titulli kampion në Premierligë
Për Xhakën tani vëmendja e tërë do të jetë në Premierligë, aty ku po ashtu po shquhet gjatë këtij edicioni me paraqitje të mrekullueshme.
Skuadra e tij (Arsenal) prin në kampionat me një kapital prej pesë pikëve epërsi ndaj ndjekësit kryesor, Manchester City. Mesfushori 30-vjeç nga të gjithë është përshkruar se po kalon në një formë jetësore.

Me ekipin e drejtuar nga Mikel Arteta deri tani në edicionin e sivjem të Premierligës ai ka shënuar tre (3) gola dhe ka kontribuar me tre (3) asistime të tjera.
Arsenali qartësisht synon që t’i rikthehet titullit kampion në Angli, që i mungon thuajse për dy dekada, nga viti 2004. Në atë rast, futbollisti me prejardhje nga Kosova do të bëhej i pari që do ta shijonte një gjë të tillë.


