Jo, Jo, Jo: ‘Investimet’ që i bëri Granit Xhaka në Kosovë
Mbrëmjen e lojës mes Zvicrës dhe Serbisë ndodhesha në një kafeteri. Njerëzit përreth meje festonin me tërbim secilin gol të zviceranëve. Pastaj në rrugë, pati fishkëllima të zgjatura veturash si për ditën e Pavarësisë. As s’i kuptoja e as s’arrija të lidhesha kurrqysh ndjenjësisht me ta. Dhe sa më shumë njerëz të gëzuar që shihja, aq më shumë i huaj ndihesha. Ky mospërkim ashtu pavetëdijshëm më dha edhe një ndjenjë faji. Ndihesha sikur po bëja diçka të keqe meqë s’gëzohesha. Por, këtë faj e dëbova prej vetes përmes një introspektimi, i ndihmuar më pas sidomos nga bota virtuale ku gëzimi kolektiv ishte shkronjëzuar për të shpërfaqur budallallëkun e vet.
Vetëm katër-pesë orë para se të shpërthente ai gëzim kolektiv, vendi kishte qenë në vaj. Gruaja shtatzënë që u vra nga burri i saj në oborrin e QKUK-së ishte varrosur. Dhuna ndaj grave është bërë tashmë një endemi por po nxit vetëm reagime të ngathëta nga shteti dhe denoncime të rreme e false nga shoqëria. Qysh ka mundësi të festosh aq shumë vetëm katër orë pasi e varros viktimën e një krimi që mori përmasa kombëtare? Qysh ka mundësi të dënosh patriarkalitetin e më pas të pranosh gjuhë patriarkale? Qysh ka mundësi të denoncosh dhunën ditën, por ta pranosh promovimin e dhunës natën? Ka mundësi, qysh s’ka mundësi, nëse je fund e krye fals. Por matanë këtij falsiteti, qëndron edhe një falsitet tjetër për të cilin do të flas këtu.
Granit Xhaka ishte shpallur hero. Ishte kacafytur me disa lojtarë serbë për një ndërhyrje. I kishte sharë me nënë. E kishte bërë një gjest me organ gjenital dhe në fund e kishte veshur fanellën me mbiemrin Jashari. Më vonë do ta merrnim vesh se i gjithë ky ‘heroizëm’ në fushë futbolli përballë Serbisë nuk ishte ‘i rastësishëm’ sepse natyrisht thellë thellë e kuptonim që s’kishte kurrfarë heroizmi dhe se s’ishte kurrgjë më shumë se lojë futbolli.
Mos të keqkuptohem. Respektoj patriotizmin e babait të tij, që mësuam se kishte qenë edhe në burg dhe ishte torturuar. Por, rrëfimi i Xhakës për familjen e tij nuk është rrëfim i pazakontë në Kosovë. Në fakt, histori të këtilla e bile edhe më të trishta nga dekadat e kaluara nën Jugosllavi kanë shumica e familjeve në Kosovë.
E, falsiteti tjetër lidhet me Xhakën futbollist. Ka të bëjë me vitin zero. Në majin e 2016-s, kur u pranuam në FIFA dhe UEFA ishte viti zero për futbollin e Kosovës. Do të garonim me gjithë botën dhe do të ndërtonim kombëtaren tonë. Vendimet që do të merreshin në ato javë e muaj të para të vitit zero kishin peshë tepër të madhe. Dhe për ne, futbolli s’ishte veç futboll. Ky sport ishte më popullori në botë, dhe përmes tij mund të ndërtonim imazhin shtetëror ndërkombëtar.
Granit Xhaka duhej t’i thoshte PO Kosovës. Ai do ta rriste ndjeshëm cilësinë e kombëtares, por përveç kësaj – po aq, në mos edhe më e rëndësishme – do të jepte shembullin e tij të fortë për të gjithë lojtarët e tjerë me origjinë kosovare që luanin në Evropë. Nëse ai do të thoshte PO, të tjerë talentë të rinj pas vitit zero (2016) do ta kishin shumë të vështirë që të thoshin JO. Por, Granit Xhaka i tha JO Kosovës dhe shkaktoi dëme të pandreqshme.
Prej asaj JO-je, pasuan një varg refuzimesh nga shumë e shumë talentë tjerë, disa prej të cilëve madje edhe do ta përdhosnin dinjitetin e kombëtares, siç ishte rasti me Andin Zeqirin apo edhe Ardian Ismajlin. I pari e përdori Kosovën që të gjente vend te Zvicra. I dyti, ani pse kapiten i kombëtares tonë U-21, na braktisi krejtësisht dhe kaloi te Shqipëria. Ndërkohë, edhe dhjetëra talentë tjerë – disa as afër nivelit të Xhakës - në të katër anët e Evropës na refuzuan e na refuzuan pa u lodhur.
Edhe gjashtë vjet pas pranimit në UEFA e FIFA, Kosova tre futbollistët më të mirë i ka ata që u rritën në fushat me lloç të futbollit tonë: Amir Rrahmanin, Vedat Muriqin dhe Milot Rashicën. A do të ndodhnin krejt kjo sikur Granit Xhaka të thoshte PO në vitin 2016? Natyrisht se jo.
Nuk pretendoj që thashë diçka të re. Ndoshta, thjesht një riformulim të asaj që veçse është thënë. Mirëpo, kjo e vërtetë është heshtur prej të premtes së kaluar, kur Xhaka na u rikthye si hero dhe babai i tij madje edhe guxon të kërcënojë gra LIVE në televizon, pjesërisht nga frika dhe pjesërisht nga karakteri ynë meskin tregtar. Po pra, është bërë shprehi në sferën publike që të vërteta të caktuara të heshten tinëzisht kur duhet diçka në këmbim, dhe pastaj të rikthehen sërish, kur kërkohet diçka tjetër në këmbim.
Granit Xhaka s’është shembulli që duhet ndjekur nëse ia duam të mirën Kosovës. Neve na duhen shembuj që dashurinë për Kosovën nuk e materializojnë si ai, një herë në katër vjet përmes gjestesh patriotike në fanellë të Zvicrës, por që e materializojnë duke djersitur fanellën e Kosovës për çdo lojë!
P.S. Kërkova në Google “Xhaka invests in Kosovo” dhe më dolën rezultate që tregonin se si shqiptarë të Kosovës e Shqipërisë kishin mbledhur para për t’i paguar gjobën. Kërkova edhe “Xhaka investon në Kosovë” dhe më dolën lajme të parëndësishme mes të cilëve edhe një me titullin “Milionerët që s’e investuan asnjë cent në futbollin kosovar”. Granit Xhaka ka një pasuri prej 17 milionë funtesh.